Barcelona dominoi skenën e futbollit europian e botëror për klube përgjatë një dhjetëvjeçari, por vitin e fundit dëshmoi shenja të forta krize. Në kulmin e vet Barcelona kishte një plejadë lojtarësh që të gjithë meritonin “Topin e Artë”, por atë e përvetësoi vetëm njëri, talenti e fenomeni botëror Lionel Mesi. Ksavi Hernandez ka shenjuar historinë me Barcelonën dhe në librat e futbollit do të zejë një vend si nga më të mirët në rolin e mesfushorit. Spanjolli fitoi trofe me Barcelonën dhe Spanjën, por nuk ia doli të fitonte një çmim shumë prestigjioz, por individual si Topi i Artë. Së fundmi, Ksavi thekson se për këtë trofe e kanë pyetur shumë herë, por shprehet se në të njëjtën kohë me të, ka qenë edhe më i madhi i të gjithë kohërave, Lionel Mesi. “Më kanë pyetur shumë herë për Topin e Artë. Kur kam filluar të luaja futboll, nuk ka qenë kurrë një objektiv i imi. Si fëmijë, si adoleshent nuk ka qenë një ide. Shumë herë kam imagjinuar të luaja për Barcelonën, të fitoja si profesionist, të luaja në La Liga dhe të fitoja të gjithë titujt e mundshëm. Kam fituar katër herë Ligën e Kampionëve, tetë herë kampionatin, një Botëror dhe dy Europianë… Topi i Artë është ndryshe. Ka qenë e jashtëzakonshme të isha në podium, ka qenë e pamendueshme. Por, aty ka qenë edhe lojtari më i madh i të gjithë kohërave, Lionel Mesi”, u shpreh Ksavi. Ndërkohë, Barcelona priti dje, në “Camp Nou”, në orën 21:00, Real Sociedadin, skuadrën që kryeson kampionatin. Ka shumë arsye pse “blaugranat” tentuan me çdo kusht suksesin ndaj baskëve e një prej tyre është rekordi i pazakontë dhe historik që synon të thyejë Lionel Mesi. “Ylli” argjentinas, nëse arrin të shënojë vetëm një gol barazon rekordin e të madhit Pele sa i përket numrit të golave të shënuar në një klub. Braziliani realizoi 643 gola me fanellën e Santosit, ndërsa “Pleshti” deri tani ka shënuar 642 për Barcelonën në 744 ndeshje ku është aktivizuar. I pari finalizim i Mesit erdhi më 1 maj 2005 kundër Albacetes, kur ishte vetëm 17 vjeç. Në këto 15 ndeshje të para të sezonit aktual, Leo ka shënuar 8 gola, katër prej tyre në La Liga. Me vetëm një gol më shumë do të barazonte O’Rei-n, ndërsa me më shumë se një finalizim do të shndërrohej rekordmen absolut. Pele 643 golat e tij me Santosin i ka realizuar në 757 takime. Ish-sulmuesi brazilian, tashmë 80 vjeç, i cili konsiderohet nga FIFA lojtari më i mirë i shekullit të 20-të, ka luajtur për Santosin për 18 vjet. Ky rekord duhet t’u shtohet shumë të tjerëve që tashmë mbahen nga Mesi: 7 herë “Pishichi” (golashënuesi më i mirë i La Ligas), 6 herë fitues i “Topit të Artë”, më shumë gola në La Liga (448). Kujtojmë që Ksavi Hernandez dhe Andres Iniesta janë dy futbollistë të Barcelonës dhe kombëtares spanjolle që kanë shkëlqyer në lojën “tiki-taka”, të cilën e aplikoi Guardiola tek ekipi katalanas dhe ata ndihmuan në një farë mase që të shkëlqejë në këtë skemë loje argjentinasi Lionel Mesi. Pranohet që pas Iniestën dhe Ksavin, mesi nuk do të ishte kaq i suksesshëm në karrierën e tij.








































