Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të mos ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Prokurorin e Dibrës, Shkëlzen Cena. Në këtë mënyrë vuloset vendimi i formës së prerë për shkarkimin e tij. “Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ardian Hajdari relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.43/2019, datë 18.09.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Shkëlzen Cena, kundër vendimit nr. 160, datë 14.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 160, datë 14.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shkëlzen Cena. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njoftoi KPA. Gjatë seancës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Cena rezultoi me shumë probleme. Ai u gjet nga KPK me probleme të pasurisë, kryesisht mbi një kredi të marrë për një shtëpi, një kontratë noteriale për të cilën kishte qëndrime kontradiktore, një makinë për të cilën ishin nënshkruar dy kontrata dhe mungesë burimesh financiare për disa vite. Cena po ashtu u gjet me probleme sa u përket disa hetimeve që kishte ndjekur, kryesisht me të akuzuar për kontrabandë. Ndaj tij po ashtu pati një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar sipas të cilit kishte dyshime se ai ishte përfshirë në korrupsion pasive dhe se kishte kontakte të papërshtatshme. Treshja që hetoi Cenën e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Firdes Shuli dhe vëzhguesja ndërkombëtare Mia Mia Roessingh, i drejtoi atij një sërë pyetjesh kryesisht mbi kontratën noteriale në të cilën përmendej pagimi i 28 mijë eurove për një shtëpi në Tiranë dhe marrëdhënien e tij me personin B.D., të cilit më pas i kishte marrë një apartament me qira.










































