Google search engine
Home Aktualitet Dosja “Toyota Yaris”, SPAK kërkon sekuestrimin e pasurisë për të akuzuarit, në...

Dosja “Toyota Yaris”, SPAK kërkon sekuestrimin e pasurisë për të akuzuarit, në listë banesa, toka dhe vlera monetare

0
236

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dje ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së pesë personave të përfshirë në çështjen “Toyota Yaris”. Sipas SPAK, pas përfundimit të hetimeve, konkretisht u është kërkuar konfiskimi i pasurive Klevi Cani, Edi Lika, Alban Mollaymeri, Elvis Vladi dhe Alfred Vladi. Mësohet se, vlera që kërkohet është prej 3,432.130 euro dhe 80,000 franga zviceriane. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar verifikimet pasurore për procedimin pasuror Nr.1 të vitit 2019, në ngarkim të shtetasve Klevi Cani, Edi Lika, Alban Mollaymeri, Elvis Vladi dhe Alfred Vladi. Në përfundim të verifikimeve pasurore, bazuar në parashikimet e nenit 21 e vijues të ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (ndryshuar me ligjin nr.70/2017), Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për konfiskimin e pasurive ndaj të hetuarve të mësipërm, si më poshtë: Vlerat monetare 3,432.130 euro dhe 80,000 franga zvicerane”, deklaron SPAK. Në listën e pasurive të konfiskuara përveç vlerave monetare, përfshihen edhe banesa e toka. Sipas njoftimit, është konfiskuar një godinë banimi dy kate me sipërfaqe kati përdhe 147.6 m2, kati parë me sipërfaqe 158.5 m2 dhe truall me sipërfaqe 404 m2, mbi të cilin është ndërtuar objekti, e ndodhur në Njësinë Administrative Nr.11, Tiranë. Po ashtu u sekuestrua një pronë e paluajtshme e llojit Ranishte me sipërfaqe 140 m2, e ndodhur në fshatin Draç – Ishëm në Gjirin e Lalëzit, Durrës. Lista ka dhe një pronë e paluajtshme e llojit Toke Arë me sipërfaqe 873 m2, e ndodhur në fshatin Draç – Ishëm në Gjirin e Lalzit, Durrës. Ndërkohë, kujtojmë se në muajin qershor të vitit 2018, janë sekuestruar në dy makina “Toyota Yaris”, në Portin e Durrësit, 3 milionë e 470 mijë euro.
Operacioni “Toyota Yaris”
Operacioni i bujshëm “Toyota Yaris” u zhvillua mbrëmjen e 24 qershorit 2018 teksa policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit. Makinat u gjetën në një karotrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompania shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Intenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri. Menjëherë në vendngjarje policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit E. L., K. L. djalin e pronarit të kompanisë dhe shoferin e kamionit A. Ç. Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi A. M., biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika. Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit E. V. dhe A. V., që dyshohet se ISHIN personat që do të merrnin paratë. Megjithatë policia nuk ka treguar informacion të plotë rreth rolit konkret të dy vëllezërve E. V. dhe A. V. në këtë çështje. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit bërë më 25 qershor, policia u lajmërua më 20 qershor nga burime vendase për një sasi të madhe eurosh të fshehura në disa autovetura. Më 21 qershor, mbasdite, burime vendase njoftuan Policinë e Shtetit për një ngarkesë me karotrec që do të sillte disa mjete tip “Toyota”, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre ishte një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here