Skënderbeu dominoi për gati një dekadë futbollin shqiptar, duke qenë ekipi i vetëm deri tani që ka mundur të shkojë dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Padyshim një arritje e konsiderueshme. Por pas penalizimit nga UEFA, me akuzën e rëndë të trukimit të ndeshjeve, Skënderbeu e humbi shkëlqimin e tij dhe lojtarët u larguan drejt klubeve të tjera që kishin pretendime dhe luanin në Europë. Sidoqoftë, Skënderbeu mbetet në Kategorinë Superiore. Bashkë me të këtë edicion u ribashkua dhe mbrojtësi Ditmar Bicaj, i cili ka eksperiencë dhe beson se në kuadër të ndeshjes së radhës me Tiranën, Skënderbeu duhet të tregojë vlerat e tij dhe të mos shkojë në këtë përballje “i hekurosur”, duke nënkuptuar se duhet motivuar grupi përt një stërvitje të fortë. Nga ana tjetër, Bicaj thotë se Skënderbeu nuk meriton vendet e fundit të tabelës, por pritet më shumë prej tij. Në fakt, ky sezon pritet të jetë i vështirë për Skënderbeun dhe trajnerin Julian Ahmataj. Lëvizjet e shumta në merkato po japin efektin e tyre, teksa deri më tani korçarët kanë grumbulluar vetëm pesë pikë në tetë ndeshje, duke ndarë fundin e renditjes së bashku me Apoloninë. Këtë fundjavë, bardhekuqtë presin Tiranën dhe një nga lojtarët më me eksperiencë në organikën e juglindorëve, Ditmar Bicaj, ka kërkuar të zgjojë grupin teksa në një prononcim për Vizion Plus shprehet se nuk duhet të futen në fushë të hekurosur dhe të dalin po ashtu nga terreni i gjelbër. “Mbetet të shohim përpara, na mbetet të mbledhim forcat, është ekip i ri, normalisht këto rezultatet e fundit e kanë goditur ekipin në aspektin psikologjik që u pa edhe në ndeshje. Nëse futemi në fushë të hekurosur e dalim ashtu, do të thotë që nuk kemi bërë asgjë”, u shpreh Bicaj.
Tirana e bindur se do të marrë tri pikë edhe me Skënderbeun
Ndërkohë që Skënderbeu po mendon për fitore, në kampin kundërshtar, Tirana, po mendon të vijojë me fitoret e saj. Dhe situata ka ardhur për mbarë ndeshjet e fundit. 6 pikë që kanë ndryshuar klasifikimin dhe humorin bardheblu me Nevil Deden që pas gjetjes së kthesës, ka si synim krijimin e vazhdimësisë. Trajneri pati një fillim të vështirë në epokën e tij të tretë në stolin bardheblu, të kushtëzuar mbi të gjitha nga mungesat e shumta. Pikërisht rikthimi i titullarëve ka rezultuar një faktor vendimtar që Tirana të kthehej te suksesi, sepse bëhej fjalë për emra me peshë që duhej të gjenin gjendjen optimale për të dhënë kontributin e duhur, Ismailgeci, apo dhe një Batha e Torasa që gjetën formën më të mirë. Me ta Dede ia ka dalë të gjejë fitoret, duke i dhënë njëkohësisht skuadrës një fizionomi të qartë dhe një stabilitet për sa i përket formacionit. Të tre vendimtarë në sukseset ndaj Laçit dhe Apolonisë, janë elementë të rëndësishëm të një skuadre që më në fund funksionon, duke ulur dozën e improvizimeve të kushtëzuara nga mungesat. Nëse në ndeshjet e para me Deden në stol ndryshimet ishin të shumta, në takimet e fundit trajneri ja ka dalë të ndërtojë një formacion tip, natyrisht me ndonjë prekje të vogël edhe në bazë të karakteristikave të kundërshtarit, me Tiranën që në këtë mënyrë po ndërton stilin e saj të lojës të diktuar nga tekniku 45-vjeçar. Dede natyrisht pret edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm, Celhakën apo edhe Elton Kale, dy futbollistë të blinduar në formacion sezonin e kaluar dhe që pritet të jenë sërish zgjedhje të parë falë kualitetit që disponojnë, por deri atëherë Tiranës së tij i duhet te vazhdojë marshin e rezultateve pozitive, me ndryshime apo jo, ata gjithmonë bashkë me fanellën bardheblu do të kenë mbi vete peshën e detyrës për të dalë kampionë.








































