Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të shkojnë të ndara në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Ditën e hënë kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me aleatët e tij tradicionalë, ndërkohë që gazeta ka mësuar detaje nga ato që janë diskutuar aty. Sipas informacioneve, mësohet se aleatët kanë kërkuar nga zoti Basha që LSI-në të mos e fusë në listat e PD-së në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Në këtë kontekst, mësohet se aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike e kanë justifikuar kërkesë e tyre, me argumentin se bashkëpunimi i demokratëve duhet të jetë vetëm me ata dhe jo me partinë e Kryemadhit, e cila sipas tyre, është një subjekt i majtë, që nëse hyn në listat e PD shkakton dëme. Madje, sikundër theksuan të njëjtat burime nga mbledhja, mësohet se aleatët ia kanë bërë të qartë Bashës se Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të shkojë në listë të ndarë nga PD, për shkak se është e majtë dhe atje ka elektorat.
Basha i vë fshesën Kryemadhit
Por pasi ka dëgjuar me vëmendje kërkesat e aleatëve, mësohet se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur që t’i vërë fshesën Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe pse nuk është shprehur publikisht dhe të vetmit që e kanë kërkuar me zë e figurë që LSI të hyjë në listë më vete janë aleatët tradicionalë të Bashës dhe baza demokrate, ndërkohë që mësohet se një gjë të tillë e ka pohuar në mbledhjen e dy ditëve më parë edhe shefi i selisë blu. Mësohet se kryedemokrati Basha ka dhënë sinjale se nuk e do përfshijë partinë e Kryemadhit në listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Madje, mësohet se Basha është shprehur se do të shihet rezultatit i të gjitha partive pas zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme e pastaj do të shihet e vendoset si do të ndahet pushteti, nëse gjithmonë opozita do të triumfojë të dielën e 25 prillit në votime.
Brenda 10 ditësh zyrtarizohet vendimi
Megjithatë, pavarësisht diskutimeve që siç theksuan burimet ishin të frytshme, ku gjasat janë që opozita joparlamentare të shkojë me dy lista në zgjedhjet e 25 prillit, mësohet se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka siguruar aleatët tradicionalë të PD se vendimi do të zyrtarizohet brenda 10 ditësh, duke filluar nga dje. Nga ana tjetër, përveçse kësaj kërkese për të mbajtur larg listave të demokratëve partinë e Kryemadhit, aleatët janë shfaqur të shqetësuar para Bashës sa i takon aktit normativ të qeverisë që ndalon tubimet elektorale, duke e parë atë si tendencioze nga kryeministri Edi Rama për të dobësuar opozitën. Por mësohet se lideri demokrat i ka qetësuar aleatët e tij, duke iu thënë se me akte normative apo jo, Edi Rama ka për t’i humbur zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Ndërkohë mësohet se Lëvizja Socialiste për Integrim pritet që të shkojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme me PDIU dhe ndonjë aleatët të dobët të PD. Ndërkoha, mësohet se presidenti Ilir Meta vijon t’i ushtrojë presion liderit demokrat për të mos lënë jashtë koalicionit parazgjedhor LSI-në, duke qenë se ai i frikësohet një tkurrje të saj. Sidoqoftë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.







































