Një nga kolonat kryesore të strukturuara të kalendarit në vitin 2017 ishte “Opera Histori”, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Institucioni shprehet se ishte një cikël koncertesh, që celebruan kulminacione ngjarjesh dhe artistësh të këtij teatri. “Përgjatë gjithë këtij viti u celebruan përvjetore të rëndësishme, ndër të cilat ju risjellim foto nga 2 koncertet me rastin e 90 vjetorit të lindjes së “Artistit të Popullit” Çesk Zadeja, vlerësuar edhe me titullin “Nder i Kombit”: Koncerti simfoniko vokal “Kolosët që themeluan TKOB” dhe “Në gjurmët e mjeshtrit Çesk Zadeja” me pjesët më dinjitoze të muzikës shqiptare, të shkruara nga Zadeja dhe nga pasardhësit e tij, breza artistësh, profesionistë të muzikës që ecën në gjurmët e kompozitorit, pedagogut dhe babait i muzikës shqiptare”, shprehet institucioni për aktivitetin artistik të kompozitorit të njohur. Shumë kompozitorë që janë bartës të veprimtarive muzikore sot në Shqipëri, janë diplomuar nën drejtimin e kompozitorit Çesk Zadeja. Ata sot zhvillojnë veprimtari të shumta dhe shumë programe të shkollave muzikore shqiptare janë të punuara, të redaktuara dhe të mbikëqyrura prej tij. Nëse shohim listën e të diplomuarve, do të vërejmë se sot kreu i krijimtarisë muzikore përbëhet nga kompozitorët e diplomuar te profesor Çesk Zadeja, dhe disa prej tyre nuk janë më gjallë. Ndikimi i krijimtarisë së Çeks Zadesë ishte i madh te një sërë krijuesish të tjerë që ndiqnin rrugën e këtij krijuesi, sepse veprimtaria e Zadesë në lëmin e kompozimit në tërësinë e saj ka qenë mbizotëruese, superiore dhe udhërrëfyese për brezat, të cilat i ka mësuar si pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës. Çesk Zadeja lindi më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, në një familje qytetare. Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës. Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova. Çesk Zadeja u nda nga jeta në Romë, Itali, më 15 gusht 1997.








































