Google search engine
Home Sport Gjasula dëmtohet në fytyrë, “gladiatorit” shqiptar nuk i ndahet maska

Gjasula dëmtohet në fytyrë, “gladiatorit” shqiptar nuk i ndahet maska

0
277

Kombëtarja i mbylli detyrimet e saj për këtë sezon në Ligën e Kombeve, me arritje të objektivit, pasi zuri vendin e parë në grupin e katërt të Divizionit C të Ligës së Kombeve, një sukses jo pak i rëndësishëm, sidomos kur e mendon me startin e dobët dhe paqëndrueshmërinë e skuadrës në lojë e rezultate, si dhe kohën e vështirë pandemike që po kalojmë. Sidoqoftë, trajneri Edi Reja bëri një të mirë me grupin dhe ajo që ka rëndësi është arritja e objektivit. Tashmë kuqezinjtë janë ngjitur në Ligën B, plus që kanë fituar pikë në renditjen e vazove dhe do të mund të kenë mundësinë të përfitojnë në “play-off”. Gjithsesi, vëmendja tani është përqendruar tek eliminatoret e ardhshme të Botërorit 2022 në Katar, ku Shqipëria ka rënë në short me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën e San Marinon. Në skuadër ka një gërshetim të elementëve të rinj me ata veteranë. Midis tyre ka një kategori lojtarësh që kanë kontribut të padiskutuar në lojë e rezultate dhe në këtë grup përfshihet edhe mesfushori Klaus Gjasula, i cili ka mundur në dy vitet e fundit të luajë titullar në shumë ndeshje dhe pëlqehet nga stafi i përfaqësueses, pasi bën lojë të organizuar, pozicionohet mirë taktikisht dhe qëndrueshmëri fizike të arrirë. Prania në Bundesligë dhe në skuadra me emra cilësorë e kanë ndihmuar atë të ruajë staturë lideri dhe potencialisht të aftë të jetë titullar në Kombëtare, por ditët e fundit ai është bërë protagonist sërish në mediat gjermane për shkak se theu hundën dhe tani, përveç kokores në kokë, ku ngjan si gladiator, do të duhet të mbajë edhe maskë, diçka me të cilën, në fakt, është mësuar.

Kokorja e Gjasulës tërheq vëmendjen

Mesfushori i Kombëtares kuqezi, Klaus Gjasula, i ka mësuar tifozët prej shumë vitesh me helmetën e tij që nuk e heq asnjëherë gjatë ndeshjeve. Një element shtesë që e mban që kur ka pësuar një dëmtim në fytyrë shumë vite më parë dhe që e ka bërë unik në kampionatin gjerman, ku i kanë vënë nofkën “Spartaku”. Por mesfushori i përfaqësueses shqiptare, nga kjo javë ndoshta do të duket pak më ndryshe se zakonisht, pasi përveç helmetës, tani do t’i shtohet edhe një maskë. Gjithçka është pasojë e një dëmtimi që ka pësuar në ndeshjen e fundit me skuadrën e Hamburgut këtë fundjavë, kur u desh të linte fushën e lojës i gjakosur në pushimin e sfidës kundër Darmshtad. Gjasula pësoi një dëmtim në hundë pasi u godit me bërryl nga një kundërshtar në një dyluftim dhe meqë hemorragjia nuk pushonte, u desh t’i linte vendin në fushë Hant. Në testet e kryera sot, është kuptuar se lojtari ka pësuar frakturë në hundë dhe do të duhet që për një periudhë kohe të mbajë maskë në fytyrë nëse do të dëshirojë të luajë, pasi hunda i është enjtur e sigurisht nuk duhet të pësojë përsëri goditje. Ndaj që nga ndeshja e radhës, Gjasula pritet të jetë në fushë me helmetën e zakonshme në kokë dhe me një maskë në fytyrë për të mbrojtur pjesën e përparme të saj.

Kombëtarja dhe roli i “Spartakut”

Gjasula do të jetë pjesë e grumbullimeve të Kombëtares në sfidat e ardhshme, pasi është lojtar që di të menaxhojë mirë lojën në mesfushë dhe këtë e ka shprehur edhe vetë trajneri Reja. së bashku me Abrashin dhe Memushajn është lojtar që di të reflektojë në të dy fazat e lojës dhe për këtë meriton përgëzime. Prania në Kombëtare, madje titullar ose jo, do të varet nga forma e tij sportive në muajt e ardhshëm, por duke gjykuar në nivelin e kampionatit ku luan, formën sportive të tanishme dhe padyshim energjitë e lojtarit dhe ambicien e tij për të qenë protagonist. Gjasula mund ta ndihmojë ekipin e Rejës të arrijë objektivat e tij, edhe pse grupi ku ndodhet Shqipëria është shumë i vështirë. Ambiciet janë për vendin e dytë në grup, por edhe vendi i tretë nuk është keq, por që të arrihet duhet të sigurohen më shumë pikë se Hungaria ose Polonia (Anglia llogaritet të jetë favorite e padiskutuar e grupit tonë (grupi I).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here