Google search engine
Home Sport Çështja “Çinari”, Partizan KAS merr vendimin për Partizanin në dhjetor

Çështja “Çinari”, Partizan KAS merr vendimin për Partizanin në dhjetor

0
370

Erald Çinari iu bashkua me bujë Partizanit dhe performanca e tij ishte mjaft cilësore, duke i shërbyer grupit dhe duke e justifikuar veten si blerje serioze dhe efikase, por “dardha e ka bishtin mbrapa”, rezultoi të kishte vlerë edhe në transferimin e tij, ku dolën kleçka që, të sajuara apo jo, e kanë penalizuar jo pak Partizanin, klub i cili u penalizua nga FIFA për transferim jo të rregullt dhe iu ndalua skuadrës së kuqe për të bërë merkato në verë e në vazhdim. Por klubi i Partizanit pretendon se çdo lëvizje e ka bërë sipas rregullave dhe me bindjen se ka të drejtë, i është drejtuar Gjykatës Sportive të Lozanës, në pritje të drejtësisë. Dje është dhënë një sinjal që mund të jepet vendim brenda muajit dhjetor, pra brenda këtij muaji do të mësohet nëse Partizani do të mund të bëjë apo jo merkato. Në kampin e kuq e presin me ankth këtë vendim, madje shumica besojnë se partizani do ta fitojë çështjen. Sidoqoftë, duhet pritur vendimi i arbitrazhit për të parë se si do të rrjedhin ngjarjet.

Qëndrimi i klubit

Klubi i Partizanit, nëpërmjet një njoftimi për mediet, ka bërë të ditur së është zhvilluar sot në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, më Lozanë të Zvicrës, seanca gjyqësore në lidhje me çështjen “Çinari”. Klubi i kuq siguron se brenda dhjetorit do të merret vendimi, por pa dhënë detaje në lidhje me ecurinë e seancës dhe pritshmëritë e kampit të kuq. “Pranë KAS-it, në Lozanë të Zvicrës është zhvilluar sot, “online”, si pasojë e pandemisë COVID-19, seanca e programuar gjyqësore për çështjen e Erald Çinarit. Në komunikimin me panelin e KAS-it, palët kanë paraqitur të gjitha pretendimet e tyre si dhe janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve të përfshirë në këtë proces. FK Partizani është përfaqësuar në këtë seancë gjyqësore “online”, nga Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, si dhe avokati i mirënjohur, Juan de Dios Krespo Peres, dhe zyra e avokat Antonio Konte. Ky grup ka punuar intensivisht përgjatë gjithë kësaj periudhe për përgatitjen sa më efikase të mbrojtjes dhe demonstrimit të pafajësisë sonë. Pritet që vendimi nga KAS-t të merret brenda muajit dhjetor”, thuhet në njoftimin e Partizanit.

Vijojnë përplasjet me Vllazninë, flet Olsi Rama

Ndërkohë që Arbitrazhi ka paralajmëruar dhënien e vendimit për Partizanin këtë muaj, në Shqipëri vijojnë debatet në aksin Tiranë-Shkodër, ku pas humbjes së Partizanit në “Loro Boriçi”, përballë Vllaznisë (1-0), drejtori i të kuqve Olsi Rama ka përmendur në media një mori shkeljesh të protokollit antikovid, indirekt një akuzë që mund ta penalizojë Vllazninë me humbje në tavolinë dhe përjashtim nga gara për thyerjeve e rregullave. “Nuk është një mungesë respekti, ndërsa ne respektojmë kundërshtarin. Në rolin e drejtorit vë re atë që konsideroj si shkelje të protokollit. Nuk i takon trajnerit, lojtarëve, askujt. Jam gati të luaj përsëri javën tjetër dhe të mos jenë 500-600 tifozë, të jenë 10 mijë, por ta kemi edhe në njëlloj si Partizani me ndjekësit tanë, se çdo javë i them jo e kthej mbrapsht të gjithë sportdashësit e Partizanit që kërkojnë të jenë në stadium. Këtë çështje duhet ta dëgjojë Vllaznia se FSHF ka në dorë të konstatojë e marrë masat, administrimin e bën administrata e Bashkia. Në mënyrë indirekte mund të pyetni forcat e policisë se kishin një listë me 100 emra, që këtu është një shkelje dhe nga dera tjetër futen të tjerat. Unë dua shumë që stadiumet të mbushen e nuk kam problem me tifozerinë në Shkodër. Nëse Xhaferi thotë do i futnim 30 me stadium plot, them që nëse do të kishte 15 mijë tifozë aty, presioni do të ishte shumë mbi Vllazninë”, theksoi ndër të tjera për mediat Olsi Rama. Qëndrimi i tij u nxit nga një provokim i sponsorizuesit të Vllaznisë, Alban Xhaferri, i cili deklaronte se nëse do të kishin qenë shumë tifozë në stadium Partizani do të humbiste 30-0.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here