Prokuroria e Posaçme ka dhënë dje pretencën për personat e dyshuar për laboratorin e drogës, që u zbulua rreth dy vite më parë në Has dhe që është fraksion i dosjes “339”. Sipas burimeve, prokuroria ka kërkuar dje 136.8 vite në total për 17 të akuzuarit. Për A. H., i cili është ende në arrati i janë kërkuar 12 vite burg, pasi cilësohet organizator i këtij rrjeti. Po ashtu është kërkuar edhe konfiskimi i pasurisë. Prokuroria ka kërkuar 8 vite burg për Gj. N., 6.8 vite burg për A. A., 10 vite burg për E. M., P. S. 8 vite, S. S. 8 vite, H. S. 10 vite, O. J. 6.8 vite, Sh. A. 4 vite, M. Z. 4.8 vite, E. Sh. 4.8 vite, A. Gj. 4 vite; H. H., i njohur si Roni 10 vite, V. B. 8 vite, A. Sh. 8 vite. Për Xh. Sh. dhe F. C. u kërkuan 12 vite burg. Mësohet se në seancën e radhës është mbrojtja, më pas do të jepet vendimi për të akuzuarit, një pjesë e të cilëve kanë pranuar gjykimin e shkurtuar. Ndërkohë që kjo dosje është e ndarë edhe në fraksione, teksa 339/1 po heton krimin zgjedhor. Kujtojmë që në 29 tetor të këtij viti Gjykata e Posaçme përfundoi gjykimin e dosjes 339/3, ku në përfundim të këtij gjykimi deklaroi fajtorë të pandehurit për kryerjen e veprës penale të “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal. Ndërkohë, nga ana tjetër Gjykata e Posaçme rrëzoi akuzën për grup të strukturuar kriminal dhe vepra të kryera nga grupi i strukturuar, akuza këto të parashikuara nga Neni 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Ndërsa, për shkak të gjykimit të shkurtuar më herët, të pandehurve u ul një e treta e dënimit, në total disa nga të pandehurit që janë pjesë e dosjes 339 u dënuan me 41 vite burg. Në tetor 2018 në seancat e zhvilluara te Krimet e Rënda në Tiranë dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë u lanë në burg 24 nga të arrestuarit, ndërsa 10 u ndryshua masa, nga të cilët 8 në arrest shtëpie dhe dy në detyrim paraqitje. Konkretisht, anëtarët e grupit akuzohen për “Trafik i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pastrim parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Dosja 339
Kjo dosje penale ka filluar të ndërtohet në dhjetor 2016, ku fillimisht në Kavajë janë arrestuar personat R. Sh., E. D., M. Xh. etj, persona këta tashmë të dënuar nga Gjykata e Kavajës për tregtim të heroinës. Pas kësaj indicie, prokuroria ka marrë informacion se prapa shpërndarësve të heroinës të arrestuar në Kavajë, qëndrojnë persona të rëndësishëm dhe me influencë. Kjo pasi kokaina dhe heroina vinte nga Kolumbia, Turqia dhe Peruja për shpërndarje në shtetet europiane si Holanda, Gjermania, Franca etj. Çështja është regjistruar në dhjetor 2016 tek Krimet e Rënda, e cila ka vijuar me ndjekjen e një rasti tjetër të trafikut dhe tregtimit të drogës, ku dilnin në përgjime “Avdylajt” e Shijakut. Këtij grupi, i është kapur më 8 shkurt 2017 në Itali 2 tonë kanabis, ku u arrestuan korrierët E. A. dhe A. Dh. Konkretisht, sipas dosjes, më datë 08.02.2017, autoritetet policore italiane kanë sekuestruar sasinë prej 1598 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, teksa për ngjarjen në fjalë janë arrestuar në flagrancë shqiptarët E. A. dhe A. Dh., ku është sekuestruar si provë materiale edhe mjeti lundrues me të cilin është trafikuar lënda narkotike nga Shqipëria në Itali. Rezulton se kjo lëndë narkotike është trafikuar nga dy personat e lartpërmendur për llogari të grupit kriminal si më poshtë. Konkretisht, nga hetimi ka rezultuar se ky mjet lundrues ka shkuar në rrugë detare nga Fieri në Lezhë, ku do të ngarkohej me lëndë narkotike dhe më pas do të trafikohej në drejtim të Italisë.






































