Google search engine
Home Sport Igli Tare heq “dorashkat”: Mëkat që një lojtar si Cikalleshi përfundoi në...

Igli Tare heq “dorashkat”: Mëkat që një lojtar si Cikalleshi përfundoi në Turqi, ai meritonte më shumë

0
247

Kombëtarja kuqezi ia doli të sigurojë vendin e parë në grupin e katërt të Divizionit C të Ligës së Kombeve, një objektiv i realizuar me sukses dhe që e ngjit përfaqësuesen tonë në Ligën B. Por kjo nuk mjafton, sepse duhet që përfaqësuesja të realizojë objektiva të tjerë më të mëdhenj që janë të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin e Katarit 2022 si dhe në Europianin e vitit 2024. Shanset teorike janë të mira, por praktikisht ekipit i duhet të bëjë shumë sforco për ta realizuar. Që të ndodhë kjo duhet që lojtarët më të mirë të jenë në formën më të mirë, në mënyrë që objektivi të ketë finalizim konkret në rezultate. Një nga lojtarët që pati rol thelbësor në realizimin e objektivit si vend i parë në grup në Ligën e Kombeve ishte sulmuesi Sokol Cikalleshi, i cili luan në kampionatin turk. Por për Igli Taren, ai duhet të luante në një kampionat më të fortë, pasi është sulmuesi kryesor i Kombëtares dhe ka cilësi teknike që mund ta përballonte një kampionat më të fortë nëse do të punonte më fort në aspektin individual. Kështu, Igli Tare zbulon se ka pretenduar që Sokol Cikalleshi të kishte bërë më shumë me karrierën e tij. Në një intervistë për emisionin “Ditë e Re”, në “Ora News”, drejtori i Lacios shprehet se sulmuesi kavajas e ka intriguar gjithnjë, por thekson se ai nuk ka punuar mjaftueshëm për karakteristikat që ka pasi është gjynah që me ato karakteristika ta humbasësh karrierën në kampionatin turk, kur mund të ishte shumë më lartë. “Doja të thoja një shprehje të bukur që ka lidhje me pyetjen që më bëre. ‘Topi është për të gjithë, por futbolli për pak njerëz’. Me këtë shprehje nënkuptohen shumë gjëra. Unë e kam thënë e para disa vitesh lojtari që më intrigon më tepër është Sokol Cikalleshi. Është një lojtar që ka karakteristika shumë të mira si futbollist, por për këto karakteristika që ka, ka punuar shumë pak në jetën e tij dhe është gjynah që ta humbasësh karrierën tënde në një kampionat si ai turk. Me gjithë respektin që kam për kampionatin turk, por ai lojtar duhet të kishte bërë shumë më tepër në karrierën e tij sepse për llojin e tij është një lojtar i cili është shumë i domosdoshëm për kombëtaren shqiptare”, u shpreh Tare.

Lacio-Bajern, Tare e sheh si shans

Por Tare nuk është ndalur vetëm në komentin e tij për Cikalleshin. Ai vazhdimisht komenton përfaqësuesen kuqezi dhe duket qartë se interesohet vazhdimisht për ecurinë e saj. Ai ka folur së fundmi edhe për Lacion e tij, një skuadër që ia doli të sigurojë kualifikimin nga faza e grupeve në Champions League. Dje u hodh shorti dhe Lacios goglat i vunë përballë kampionen në fuqi të Europës, short shumë i vështirë, gjë që e pranoi edhe vetë Tare. Pra, shorti i Ligës së Kampioneve ka qenë i pamëshirshëm për Lacion, pasi ka vënë skuadrën italiane përballë Bajernit të Mynihut, fitues në fuqi dhe padyshim favorit kryesor për të përsëritur suksesin edhe në edicionin aktual. E megjithatë, Igli Tare është munduar të ç’dramatizojë pak situatën në fjalët e tij të para për mediat italiane pas këtij shorti. “Më mirë se kaq nuk mund të shkonte”, ishte batuta e tij pasi mësoi emrin e kundërshtarit që Strakosha & Co. do të kenë përballë në fazën e parë me eliminim direkt. “Përtej shakave, luajmë kundër skuadrës që ka fituar edicionin e kaluar Ligën e Kampioneve ndaj është favoritja absolute në këtë duel, por nuk e nisim si të mundur. E kemi treguar dy herë ndaj Borusia Dortmund, do të mundohemi të përballojmë këtë ndeshje me shumë entuziazëm, pasi e kemi merituar. Nisemi si jofavoritë, por duhet të besojmë dhe të bëjmë një surprizë”, ishin fjalët e drejtuesit shqiptar të Lacios.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here