Vllaznia është një klub që ka bërë ndryshim spektakolar këtë edicion, ku ka siguruar një performancë të lartë në këtë fazë të parë, me arritje rezultatesh spektakolare e jo rastësisht ndodhet në vend të parë. Për momentin ka në gjirin e vet një futbollist që bën diferencë dhe me golat që ka shënuar e mban Vllazninë në top-renditje, duke siguruar pikë të rëndësishme për objektivat e klubit kuqeblu. Haris Dilaver është njeriu i momentit te Vllaznia. Falë golave të sulmuesit boshnjak i cili po shënon rregullisht në këtë sezon, kuqeblutë kryesojnë të vetëm Kategorinë Superiore pas 8 javësh kampionat. Pas finalizmit ndaj Partizanit që i dha tre pikët Vllaznisë, Dilaver foli për mediat duke theksuar se golin ia dedikonte fëmijës së tij, por edhe tifozëve që ishin të shumtë në stadium. “Golat ia dedikoj fëmijës tim, por jo vetëm. Goli shkon edhe për tifozët, të cilët kanë qenë të pranishëm në stadium dhe na kanë dhënë një mbështetje të jashtë zakonshme. Jam shumë i kënaqur këtu, më kanë pritur shumë mirë”, nënvizoi fillimisht Dilaver. Më tej ai theksoi se Vllaznia mund të shkojë larg: “Nëse vazhdojmë me këto hapa mund të kapim edhe shumë më shumë se kaq. Të them të drejtën ka qenë një ndeshje shume e vështirë dhe e fortë. Partizani kishte ardhur të merrte një pikë, por ne e kemi treguar se dimë të luajmë mirë dhe të fitojmë”.
Xhaferri i përgjigjet Ramës së Partizanit: Po të kishim tifozë fitonim 30-0
Ai që po e sponsorizon Vllazninë këtë edicion, Alban Xhaferi, nuk vonoi t’i përgjigjet drejtorit të Partizanit, Olsi Rama, i denoncoi praninë e shumë tifozëve në stadiumin e Shkodrës kundër rregullave të FSHF-së. Duke folur për “Rubrika Sportive”, Xhaferi ritheksoi rivalitetin e kuqebluve me skuadrat e kryeqytetit. “Në vitet e fundit, Vllaznia ka pasur rezultate negative me Partizanin, e kjo ka qenë një kthim drejt rezultateve pozitive. Ndoshta ky është edhe sekreti i festës që po bëhet sot. Por duhet theksuar se është pothuajse fundi i fazës së parë dhe ekipi ka krijuar shkëputje me pikë nga të tjerët e normalisht po gëzojmë momentin se jemi në vend të parë. Duhet të jemi me këmbë në tokë se javën tjetër ka ndeshje me Laçin, e rëndësishme për ne. Do bëjmë një hap në mënyrën më të mirë të mundshme për rezultate pozitive. Jemi të lumtur që jemi në këtë pozicion, të ecim me këmbë në tokë e të marrim gjërat me radhë”, tha ai. Më pas vijoi komentin duke thënë se premio nuk do të mungojnë asnjëherë. “Ka patur premio simbolike me gëzimin e fitores simbolike, nuk është keq kur merr edhe disa lekë. E vendosëm 5 milionë lekë të vjetra. Kemi treguar që në ndeshjet e fundit, fituam edhe ndaj Tiranës në fund. Është e bukur se po fitojmë në fund se gjithmonë jemi mundur. Edhe barazimi me Partizanin nuk ishte i keq, por patëm rezultat dhe ia arritëm. Skuadra bëri lojë të bukur, krijoi raste dhe fitorja ishte e merituar për Vllazninë. Ndeshjet me skuadrat e kryeqytetit janë më pikantet se kemi pasur së fundmi rezultate negative dhe hap pas hapi i kemi vlerësuar me premio. E rëndësishme është që skuadra është e motivuar. Jam i bindur se nuk është premio që na bën të fitojë por shumë faktorë. Por janë stimul i mirë për lojtarët ndaj pse jo”, shtoi ai. Në fund vlerëson rolin e grupit, si faktori kryesor i suksesit. “Suksesi i kësaj skuadre është grupi që në fillim jemi munduar të krijojmë dhe një staf teknik që jep rezultate, kjo shihet. Normalisht 19 pikë në këto ndeshje na gëzojnë, ndoshta jemi përtej pritshmërisë, Por duhet të jemi me këmbë në tokë, se kampionati është i gjatë, kemi edhe 3 faza, ka kohë e ndeshje për të treguar. Kandidatura? E kemi hedhur që në fillim por ndoshta tani e kemi forcuar. Për Kupat e Europës e pse jo për të ecur përpara. Po Vllaznia është emër i madh dhe pse të mos pretendohet për titull. Keqardhja më e madhe është se me këto rezultate, stadiumi do të kishte qenë i mbushur plot”, përfundoi Xhaferri.







































