Google search engine
Home Aktualitet “Cirku Fluturues” vlerësohet në “Cottbus Film Festival”, në Gjermani

“Cirku Fluturues” vlerësohet në “Cottbus Film Festival”, në Gjermani

0
573

Filmi artistik “Cirku Fluturues”, me skenar dhe regji nga Fatos Berisha triumfoi në Gjermani. Filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues” u shpërblye, si filmi më i mirë debutues në festivalin e njohur gjerman “Cottbus Film Festival”. Ky është çmimi i radhës për këtë film të prodhuar nga kompania “B2” e producentes Vjosa Berisha, ndërsa ceremonia e festivalit “Cottbus” u mbajt online këtë vit për shkak të situatës me pandeminë. Filmi “Cirku Fluturues” me regji nga Fatos Berisha shënoi premierën në Tiranë, në mbrëmjen e parë të edicionit të shtatë të festivalit të filmit “Dea open air” këtë vit. Premierë në Tiranë, “Cirku Fluturues” u shfaq disa ditë pasi mori çmimin kryesor “Grand Jury Prix”, në festivalin e filmit “War on Screen IFF” në Chalons-en-Champagne, që u zhvillua në Francë. Filmi “Cirku Fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë në fund të viteve ’90, e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku Fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic, ndërsa në rolet dytësore Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi, etj. Filmi “Cirku Fluturues”, me skenar dhe regji nga Fatos Berisha i zhvilloi xhirimet në 2018. Xhirimet e këtij projekti kinematografik që nisën në Kosovë u zhvendosën dhe në Shqipëri. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Dikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografia Desantila Lika.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here