Google search engine
Home Politike Artemis Malo: Komisioni i Sigurisë do i shkojë deri në fund skandalit...

Artemis Malo: Komisioni i Sigurisë do i shkojë deri në fund skandalit me shtetësitë, vrasja e Klodianit e rëndë, dhuna e patolerueshme

0
481

Deputetja e Partisë Socialiste për Qarkun e Gjirokastrës, Artemis Malo ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke e ndalur theksin tek hetimi që po bën Komisioni i Sigurisë ku ajo është anëtare ndaj presidentit Ilir Meta sa i takon skandalit me dhënien e nënshtetësive shqiptare, protestat që kanë mbërthyer vendin pas vrasjes së një të riu 25-vjeçar nga policia, dhuna që është shkaktuar duke shkatërruar pronën private dhe publike nga protestuesit gjatë tubimeve të fundit, riorganizimi i PS për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, menaxhimi i pandemisë së Covid-19 nga qeveria dhe akuzat e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Tritan Shehu dhe ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo se ekzekutivi ka braktisur Gjirokastrën. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deputetja Malo garantoi se Komisioni i Sigurisë do i shkojë deri në fund skandalit me shtetësitë, ndërsa shtoi se vrasja e Klodianit nga policia është e rëndë, por sipas tij, dhuna e përdorur nga protestuesit gjatë protestave të fundit është e patolerueshme.

– Zonja Malo, pak ditë më parë një efektivi i forcave “Shqiponja” qëlloi mbi një të ri, duke e vrarë atë. Efektivi i policisë sot që flasim është në arrest me burg, ndërsa familja e të ndjerit, qytetarët dhe politika kanë kërkuar drejtësi për ngjarjen. Keni një koment?

Ngjarja ishte shumë e rëndë, e dhimbshme, e pafalshme! Klodi ishte një i ri, një fëmijë i një nëne, i pafajshëm, në rrugën e vet! Kjo është vërtet plagë e pashërueshme për familjen, por edhe shumë e frikshme për shoqërinë! Pa asnjë lloj dyshimi, meriton drejtësi. Unë kam reaguar qysh atë moment, jam prekur e tronditur, jo vetëm si qytetare, por nënë e dy gocave, e konkretisht goca ime e madhe është 21 vjeç, një e re aktive dhe e gjendur në çdo moment mes qendrës dhe qytetit. Kjo mund të kishte ndodhur te kushdo! Efektivi, nuk e meritoi kurrë uniformën që mbante! Ishte një fatkeqësi për radhët e organeve policore, e të strukturave në përgjithësi. Por faji nuk është kolektiv, as përgjegjësia e as veprimi! Kjo duhet kuptuar qartë! Djemtë dhe vajzat që mbajnë atë uniformë, janë heronj, janë të gatshëm dhe të përkushtuar! E kanë dëshmuar këtë ndër vite, e po përmend veç vitin e vështirë që kaluam, si në tërmetin e nëntorit, e si gjatë gjithë kohës së pandemisë. Nuk është e drejtë të përgjithësohen grupet, vetëm nga një individ.

-Menjëherë sapo u shënua kjo tragjedi, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen e parevokueshme. Si ju duket ky vendim?

Ministri dha dorëheqjen në shenjë fisnikërie dhe respekti për humbjen e një jete, e cila u shkaktua për fat të keq nga një armë shteti. Askush më parë nuk e ka bërë këtë reagim me kaq nder e seriozitet! Edhe pse nuk i bie asnjë lloj faji, e mori përsipër këtë barrë, duke u larguar si një prind e më pas si një zyrtar.

-Por pas kësaj ngjarje të rëndë, vendi është përfshirë nga protestat, ku në disa raste nuk kanë munguar edhe aktet e dhunës. Si ju duken këto protesta dhe a është normale që të degjenerojnë në dhunë, pasi kemi parë shumë raste teksa protestuesit janë përplasur me policinë dhe anasjelltas, apo deri në dëmtimin e pronës publike dhe private nga disa qytetarë pjesëmarrës në tubim?

Jo, absolutisht e patolerueshme! Protestat janë shumë të pritshme, të pranueshme dhe demokratike! Por këto veprime gjatë këtyre ditëve nuk janë protesta. As e nderojnë humbjen e Klodit, as dhimbjen e familjes, të cilët kanë dalë disa herë me deklarata kundër, e as na nderojnë si popull. Janë vandalizma, në dëm të shoqërisë si edhe ekonomisë! Është e pajustifikuar djegia, thyerja, shqyerja, e objekteve në rrugë, godinave, bimëve e çdo gjë tjetër që na përket të gjithëve! Protestojmë të gjithë për padrejtësitë, me shpirt dhe zemërim, por jo me dhunë! E aq më tepër ato turma adoleshentësh apo edhe minorenësh të iniciuar nga ata që nuk kanë kurajon të përballen vetë me asgjë, sepse kanë kryer krime pa fund ndër vite! Kjo nuk është e moralshme e as njerëzore!

– Për protestën ka reaguar gjithë politika, ndërkohë kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën e sidomos katërshen Meta-Berisha-Basha-Kryemadhi si porositësit dhe organizatorët e këtyre protestave. Sa qëndrojnë këto akuza?

Nuk janë thjesht akuza, janë fakte dhe argumente të qarta! Të turpshme për hesap të tyre, si prindër pikësëpari e më tej si politikanë! Klodi iku dhe të gjithë na qau shpirti e na dhemb, por injektimi i kaq të rinjve me infeksion dhune, është një masë rreziku e frikshme.

-Gjithashtu zyrtarët më të lartë të qeverisë “Rama” dhe PS, ku ju bëni pjesë kanë deklaruar se opozita ta harrojë marrjen e pushtetit me dhunë dhe se për ju e gjitha kjo po bëhet pasi minoranca synon që të shkojë në zgjedhjet e 25 prillit me qeveri teknike. Si ju duken këto deklarata?

Sigurisht që ta harrojë! Ne jemi mazhorancë sepse e vendosën shqiptarët me votën e tyre dhe nuk e kemi mandatin pronën tonë për ta tregtuar! Kryetarja e opozitës nuk e vonoi këtë sugjerim teknik, për qeverinë teknike! Për çfarë? Kush është arsyeja? Pse? Jemi drejt përfundimit të mandatit të dytë dhe fillimit të mandatit të tretë, sepse kemi shumë punë të mira për Shqipërinë, për të përfunduar! Aq sa nuk janë bërë kurrë më parë, po bëhen për të patur shtet dhe progres.

-Le të dalim pak dhe të përqendrohemi tek aktualiteti politik. Partitë politike kanë zbritur në terren për të karikuar bazën dhe strukturat. Si po ecën procesi brenda PS?

Procesi brenda Partisë Socialiste nuk pret këtë fazë të karikohet, sepse është gjatë gjithë kohës në punë, me njerëzit dhe për njerëzit! Na keni ndjekur, gjatë gjithë kohës në hall e gëzime, jemi aty me njerëzit, me të gjithë ekipin tonë, të cilin po e shtojmë dhe përforcojmë përditë e më shumë!

-Përse qytetarët duhet t’i besojnë votën PS më 25 prill?

E përmenda edhe më lart, sepse vetëm kjo forcë ka prioritet njerëzit. Sepse vetëm nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria njohu reformat, funksionoi shteti, qytetarët njohën pranë qeverinë e humanizmin dhe komunikuan me çdo zyrtar e deri te vetë kryeministri Edi Rama për hallet dhe shqetësimet e tyre! Sepse ne jemi njerëz e pastaj politikanë, sepse ne ulemi këmbëkryq derë më derë dhe dëgjojmë e zgjidhim. Sepse arsyet janë shumë e po ashtu edhe problemet shumë, por nuk kemi përfunduar akoma!

– A rrezikon PS që të mos ruajë trendin në Gjirokastër sa u takon zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke qenë se i ikën një mandat deputeti për shkak të rrudhjes së popullsisë?

Gjirokastra është qyteti i njerëzve që kanë besuar historikisht votën e tyre majtas. Kështu do të jetë përherë, sepse qytetarët gjirokastritë janë njerëz të mençur dhe e duan shumë vendin e tyre. Jetojmë në një epokë tranziti në të gjithë botën, kudo ka ikje, lëvizje e transferime. Kjo është shoqëria demokratike e lirë ku aderojmë të gjithë.

– Keni një koment mbi vendimin e presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Buxhetin e Vitit 2021?

Nuk është hera e parë që zvarriten projektligje nga ana e Presidencës, ose kreut të opozitës. Nuk ka komente sepse flasin vetë qëllimet e veprimeve.

-Ju jeni anëtare e Komisionit të Sigurisë, çfarë po ndodh me hetimin e presidentit Meta për dhënien e shtetësive?

Është një çështje sa serioze, po aq edhe e thellë. Nuk kërkon vetëm kohën e vet, por edhe përgjegjësinë për të hetuar me shumë korrektësi çdo detaj. Komisioni i Sigurisë, përbëhet nga anëtarë shumë seriozë dhe të përgjegjshëm, të cilët kurrsesi nuk do të akuzonin askënd, e aq më tepër kreun e shtetit për asgjë, pa e provuar më parë me shumë argumente.

-Po deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili edhe pse kanë kaluar gati 9 vite, jo vetëm që nuk shpreh pendesë për “21 Janarin”, ku mbetën të vrarë 4 protestues, por ka deklaruar se në 22 janar nëse do të vijonte tubimi i opozitës 5 snajperë do të qëllonin kreun e PS, Edi Rama në lule të ballit?

Po doktori flet vetë, nuk ka nevojë për të folur askush! Vetëm se me këto që deklaron së fundmi, duket bindshëm se ka ardhur koha të mjekohet seriozisht. Për Shqipërinë është një e keqe e madhe e gjithë jeta e tij politike!

-Si ju duket menaxhimi i situatës së pandemisë nga qeveria?

Pandemia në Shqipëri u menaxhua shumë mirë që në fazat e para, si askund tjetër. Situata sot është e agravuar në të gjithë botën dhe tashmë na takon secilit të menaxhojmë veprimet tona të përditshme. Qeveria ka dhënë maksimumin për kapacitetet e veta.

-Po akuzat e ish-deputetëve të PD dhe LSI, Shehu e Tavo se qeveria dhe bashkia ka braktisur qytetarët e Gjirokastrës sa qëndrojnë?

Të dy këta zotërinj, janë mjekë në profesion! Çuditërisht nuk u panë kurrë krah qytetarëve, kurrë deri më sot, as si të tillë e as si politikanë! Mandatet i quajtën pronë private dhe si gjithë tufa e tyre, i flakën! Kur i patën, e jo pak vite, na lanë trashëgimi gropa të zeza kudo. Tani në kaq pak kohë, e me kaq vështirësi që po kalojmë, deputetë e kryetarë bashkie, janë në këmbë kudo, me çdo problem e shqetësim, me investime dhe projekte, që ata as vullnet as dëshirë nuk patën kurrë! Është çështje gjumi e xhepi, po ju del tani se afroi fushata dhe janë të uritur! Kaq! I njohin dhe i kanë parë mirë gjirokastritët në rang qarku, e do ta vërtetojnë me votën e tyre shumë shpejt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here