Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla duket se do ketë një betejë të fortë me drejtësinë. SPAK dërgoi për gjykim dosjen e tij duke e akuzuar për fshehje pasurie, ndërsa më pas ju sekuestruan edhe pronat. Por Gjykata e Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka humbur kohë, duke regjistruar dosjen dhe duke përcaktuar trupën gjyqësore. Po ashtu GJKKO ka bërë shpalljen dhe te faqja e saj zyrtare online duke mos humbur aspak kohë me gjykimin e ish-kryeprokurorit. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë gjykata, trupa gjyqësore do të drejtohet nga gjyqtarja Daniela Shirka. Çështja në fjalë mban numrin 82, ndërsa akuza është: “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni257/a/2 te K.Penal”. Sipas informacioneve, në ditë në vijim do të përcaktohet dhe data e nisjes së procesit gjyqësor. Ajo që bie në sy është se nuk ka asnjë vonesë në këtë proces. Në Shqipëri jemi mësuar që shumë procese zgjasin me disa vite, por duket se me këtë dosje nuk do ët ketë lojëra dhe kjo falë presionit amerikan. SHBA e ka shprehur hapur se nuk e do Llallën dhe falë tyre u sekuestruan dhe pronat e tij. Ndërkohë gjatë procesit gjyqësor pritet që të pranishëm të jenë dhe përfaqësues të ambasadës. Nuk duhet harruar se dhe procesi i ish-ministrit Saimir Tahiri u monitorua në mënyrë të rregullt prej tyre. Nga ana tjetër gjyqtare është përcaktuar Daniela Shirka, e cila kaloi me shumë lehtësi procesin e vetingut duke dalë e pastër në të gjitha kriteret. Një dosje e bujshme që ajo kishte në duar kohët e fundit është ajo e drogës së kapur në Durrës. Trupa e drejtuar nga Shirka dënoi me 14 vite burg Arber Çekajn. Gjithashtu një tjetër çështje e rëndësishme që Shirka ka kaluar në duar, ka lidhje me dosjen Shullazi. Ajo ka drejtuar seancën gjyqësore kur është bërë ballafaqimi mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit Ylvi Beqaj.
Akuzat ndaj Llallës
Prokuroria fillimisht ngriti disa akuza ndaj ish-Kryeprokurorit: Fshehje pasurie, shpërdorim detyre, mosdeklarim të parave në kufi dhe pastrim parash. Por pasi dosja u transferua nga Krimet e Rënda te Prokuroria e Posaçme, kjo fundit ja rrëzoi 3 akuzat e fundit dhe tashmë ai ka shkuar për gjykim vetëm për fshehje pasurie, vepër penale që dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vjet. Por gjatë seancës paraprake gjykata i hoqi atij sekuestrimin e pronave gjë që solli reagim të fortë nga ana e ambasadës. Më pas SPAK futi në lojë ligjin antimafia duke ia sekuestruar sërish pronat Lallës. Iniciatorja e hetimeve për Llallën ishte pasardhësja e tij Arta Marku. Pasi SHBA e shpalli atë “non grata” dhe në media nisën të qarkullojnë foto të jetës së luksit të fëmijëve të ish-kryeprokurorit, më datë 28.02.2018 nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është dërguar shkresa nr.130 në Prokurorinë e Durrësit. Përmes kësaj shkrese janë depozituar disa shkrime në portale, foto dhe vendimi i SHBA për ta shpallur Llallën “non grata”, si indicie për të nisur hetimet. Pra ishte Arta Marku ajo që hapi rrugën e hetimeve ndaj Llallës, fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, e më pas nga Krimet e Rënda. Pas shkrirjes së kësaj të fundit dosja kaloi te SPAK.









































