Policia ka zbuluar disa detaje nga të shtënat me armë në Vlorë, ku mbeti i plagosur një person.
Sipas njoftimit, 46-vjeçari me iniciale K. M., është qëlluar dy herë me armë dhe njëri prej plumbave e ka kapur në qafë.
Akoma nuk dihen arsyet që çuan në plagosjen e 46-vjeçarit, por informacione për mediat bëjnë me dije se nuk ishte një atentat, por ngjarja mund të ketë ardhur pas një konflikti të çastit.
I plagosuri është dërguar në spitalin e Vlorës dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Fatmirësisht 46-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.
Deri në këto momente janë shoqëruar 3 persona, 2 prej të cilëve ishin punonjës afër lavazhit ku ndodhi ngjarja.
“Rreth orës 17:20, në afërsi të Gjykatës së Apelit, Vlorë, si pasojë e një konflikti të çastit është dëmtuar në kokë, dyshohet me një send të fortë , shtetasi K. M., 46 vjeç, banues në Vlorë, i cili është dërguar për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën. Sherbimet e Policise kane shkuar menjeherë në vendngjarje. Është ngritur grupi hetimor i cili vijion veprimet në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë janë shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen”, njofton policia.








































