Tirana u përfshi sërish nga protestat në mbrëmje nga protestues që shprehin zemërimin e tyre për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një patrullë policie të hënën pas mesnate.
Ata u mblodhën për të dytën mbrëmje para kryeministrisë dhe ministrisë së punëve të brendshme.
Avokati i njohur Spartak Ngjela shprehet se politika qëndron pas sulmeve të protestuesve.
Sipas Ngjelës, nëse Rama nuk lë Policinë e Shtetit që tu tregojnë vendin vandalëve atëherë ai është me ta se ka frikë nga reforma antikorrupsion.
“Sot në Shqipëri nuk ka shtet që të jetë me shqiptarët. Të gjithë të korruptuarit e mëdhenj janë me alabakët që thyejnë qytetin, se, ata që po i paguajnë duan destabilizim të gjendjes në Shqipëri.
Si mund të lejojë policia njëqind alabakë të Saliut, ardhur nga skutat primitive të Shqipërisë, të thyejnë dhe plaçkitin Tiranën?
Gjithë policia e shtetit duhet të vijë këtu dhe t’iu tregojë vendin vandalëve. Policia, kundrejt dhunuesve të ligjit, është forcë, nuk është përkëdhelje.
Nëse policia nuk vjen në Tiranë me mjete, atëherë kuptohet se nuk e lë kryeministri.
Nëse nuk e lë kryeministri, kryeministri është me ta, se ka frikë nga reforma antikorrupsion.
Asnjë nga këta të korruptuar nuk është me shqiptarët. Pasi i vodhën shqiptarët dhe u kapën në vjedhje, tani duan të shkallmojnë Shqipërinë, që të shpëtojnë gjënë e vjedhur. Me një grup alabakësh primitivë, shumica kalamaj, të paguar nga korrupsioni i lartë.
Po Uashingtoni, a do t’i kërcënojë?
Duhet t’i kërcënojë rreptë që të tre: Ramën, Berishën dhe Bashën. Që të tre janë pas vandalëve”, shkruan Spartak Ngjela.






































