Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen për projekte kulturore për vitin 2021. Sipas njoftimit zyrtar, në kushtet e pandemisë covid-19, Ministria e Kulturës është angazhuar në krijimin e një klime për nxitjen dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore, promovimin e trashëgimisë sonë materiale dhe jomateriale, me qëllim mbajtjen gjallë të komunikimit me publikun. “Programi i Ministrisë së Kulturës për artin dhe trashëgiminë 2021 do të sigurojë mbështetje konkrete për industritë krijuese në vend, duke cekur të gjithë sektorët kulturorë, duke synuar forcimin e kapaciteteve të artistëve dhe operatorëve kulturorë, përmirësimin e cilësisë artistike, promovimin e prodhimeve të tyre dhe lehtësimin e qasjes së tyre në mekanizmat inovativë të financimit”, thuhet në njoftimin, që u bë me dije që më datë 3 dhjetor të këtij viti. Fondi i artit dhe trashëgimisë 2021 do mbështetë organizatat jofitimprurëse të artit dhe kulturës, artistët, individët (persona fizikë ose juridikë) të cilëve u është dashur të zvogëlojnë dhe ndryshojnë në mënyrë drastike programet e tyre, si rezultat i pandemisë, me qëllim që t’i përshtatin programet, hapësirat dhe modelet e funksionimit. Sipas ministrisë, kjo thirrje synon mbështetjen e projekteve që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në Shqipëri. “Projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës 1 shkurt – 5 dhjetor 2021. Thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur nga 3 dhjetor 2020 deri më 8 janar 2021, ora 16.00”, bën me dije ministria.
Buxhetet sipas loteve
Në njoftimin e bërë me dije, thuhet se shpallja e fituesve do të jetë më 26 janar 2021. “Çdo njoftim do të bëhet përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Kulturës www.kultura.gov.al”, shprehet ministria. Projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës 1 shkurt – 5 dhjetor të vitit 2021. Ministria ka bërë me dije dhe prioritet, që do të ketë me projektet e vitit 2021. Prioriteti 1- Të promovojë teknologjinë digjitale në kulturë duke krijuar mjete digjitale, që sjellin të dhëna e informacione mbi kulturën e trashëgiminë, për t’i bërë ato disponibël për publikun e gjerë, si për shembull, por jo të kufizuara në aplikacione digjitale, ture virtuale, audio guida, multimedia, inovacione në muze, galeri, site të trashëgimisë, etj. Prioriteti 2- Të promovojë edukimin nëpërmjet kulturës duke krijuar instrumente digjitale që i shërbejnë nxënësve me informacione kulturore e historike që ndihmojnë në ruajtjen, transmetimin, promovimin e kulturës dhe trashëgimisë. Në kushtet e pandemisë covid-19 instrumente të tillë sipas ministrisë ndihmojnë mësuesit në ilustrimin e ngjarjeve dhe epokave historike nëpërmjet trashëgimisë kulturore e historike. Prioriteti 3- Të mbështesë sektorët kulturorë dhe veprimtaritë, të cilat bazohen në shprehje krijuese artistike bashkëkohore individuale ose kolektive të tilla si: festivalet, artet pamore, artet skenike, e të ngjashme. Prioriteti 4, ka të bëjë me mbështetjen në sektorët kulturorë dhe industritë kreative – të gjithë sektorët, veprimtaritë e të cilëve bazohen në kulturë dhe shprehje të tjera krijuese ose artistike bashkëkohore të tilla si: arkitektura, zanatet artistike, dizajni, etj. Ministria ka bërë me dije prioritetet, por buxhete për projektet të ndara në 4 lote. Loti i parë, shuma maksimale 3.000.000 lekë, kohëzgjatja e projekteve 2-6 muaj. Loti i dytë, shuma maksimale 2.000.000 lekë dhe kohëzgjatja e projekteve 2-6 muaj. Loti tretë dhe katër, shuma 1.500.000 lekë dhe kohëzgjatja e projekteve 2-4 muaj.







































