Gjermania bën përpjekjet e fundit për zhbllokimet e vendimeve në lidhje me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

0
273

Procesi i zgjerimit pritet që të diskutohet në margjinat e samitit që mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel. Burimet diplomatike bëjnë me dije se edhe pse formalisht nuk është në agjendën e samitit të Bashkimit Europian kancelarja gjermane Angela Merkel, shteti i së cilës më 31 dhjetor përfundon kryesimin e presidencës së BE-së, do të angazhohet personalisht në takime bilaterale me disa kolegë nga shtetet e tjera, me qëllim që të zhbllokohen vendimet e lidhura me procesin e zgjerimit. Bllokada kryesore është ajo që Bullgaria i ka bërë kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Sipas Radio Europa e Lirë, burimet diplomatike thonë se presidenca gjermane ende po i mban të hapura tri opsione. Opsioni i parë është miratimi i konkluzave për procesin e zgjerimit dhe atë të stabilizim-asociimit si dhe miratimi i dy kornizave negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Opsioni i dytë, sipas burimeve, është miratimi vetëm i konkluzave të Këshillit të BE-së. Ndërkaq, opsioni i tretë, për të cilin besohet se ka më pak gjasa të ndodhë, është miratimi i konkluzave të zgjerimit për të gjitha shtetet, ndërkaq korniza negociuese t’i jepet vetëm Shqipërisë. Shumë shtete e kundërshtojnë këtë ide, që vetëm Shqipëria të përparojë në anëtarësimin në BE, pasi ky shtet duhet të plotësojë disa kushte shtesë para nisjes së negociatave të anëtarësimit. Më 9 dhjetor, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria shkëmbyen akuza, pasi kjo e fundit bllokoi sërish kornizën negociuese për Shkupin zyrtar. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev e kritikoi Sofjen për politikë irracionale dhe fyese ndaj maqedonasve, pasi Bullgaria po konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase, duke thënë se ato kanë rrënjë bullgare. “Pozicioni i Bullgarisë është plotësisht irracional dhe fyes për maqedonasit dhe gjithë kombin tonë. Në shekullin 21, nuk është as evropiane dhe as demokratike t’i thuash tjetrit se si të ndihesh, si të përcaktohet vetvetiu”, është shprehur Zaev. Por, Ministria e Jashtme bullgare i ka thënë Maqedonisë së Veriut se me histori totalitare të trashëguar është e vështirë të gjesh mbështetje nga Bullgaria. “Është koha që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të braktisë tezën manipuluese se Bullgaria konteston të drejtën e vetëvendosjes dhe identitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ministrja. Që korniza negociuese të kalojë për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE, duhet votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së. Gjatë samitit në Bruksel pritet të diskutohet dhe konkluzat për procesin e zgjerimit dhe atë të stabilizim-asociimit të Këshillit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes së cilat u kërkohet shteteve të bëjnë reforma dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në draftin e konkluzave, i cili është parë nga REL, Kosovës i kërkohet të shtojë përpjekjet për përmirësimin e ligjit, të shtojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe të bëjë reforma në administratën publike. Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë i kërkohet që të vazhdojnë angazhimin e tyre në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në këtë proces.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here