Berisha mbron “21 Janarin”: I vrava sepse donin të merrnin me dhunë Kryeministrinë, kush hynte aty nuk dilte më i gjallë

0
382

Edhe pse kanë kaluar 9 vite nga tragjedia e “21 Janarit” të vitit 2011, kohë kur u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” katër protestues të pafajshëm nga Garda e Republikës, ish-kryeministri Sali Berisha vijon të këmbëngulë se ata qytetarë e meritonin plumbin. Duke folur në një intervistë për “Euronews Albania” me gazetaren Ilva Tare, ish-kryeministri Berisha jo vetëm që e mbrojti “21 Janarin”, por zbuloi edhe arsyen se përse Garda shtiu mbi protestuesit. I prerë, i qartë dhe pa shfaqur asnjë shenjë pendese, Berisha zbuloi se i vrau protestuesit sepse donin të merrnin me dhunë Kryeministrinë, ndërsa shtoi se plani i tij ishte edhe më i thellë, pasi kush hynte aty, sipas tij, nuk dilte më i gjallë nga godina e Këshillit të Ministrave. “Edi Rama kishte përgatitur fjalimin që do të mbante në ballkonin e Kryeministrisë ditën e protestës. Por unë nuk mund ta lëshoja pushtetin me dhunë. Kush do të hynte në Kryeministri ta dinte se nuk do të dilte i gjallë”, deklaroi ai.

Berisha asnjë pendesë

Më tej gjatë intervistës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha theksoi se vrasjet e “21 Janarit” nuk kanë lidhje me Policinë e Shtetit, ndërsa viktimat u vranë nga Garda e Republikës, që sipas tij, është ushtri dhe ka vetëm armën si mjet mbrojtës. Sipas tij, në protestën e 9 viteve më parë qëllimi ishte marrja me dhunë e pushtetit. “Policia nuk vrau njeri në 21 Janar, i vrau garda, që është ushtri dhe jo polici. Garda ka pasur tanke dhe krejtësisht detyra të tjera dhe garda, dihet si çdo ushtri në botë ka vetëm një mjet për t’u mbrojtur, s’ka as shkop, as spraj, as ujë, vetëm armën. Ka një raport të OSBE që thotë se demonstrata e 21 Janarit pati axhendë pushtetin. Shteti nuk merret, unë nuk iki nga zyra, por ka një ndryshim të madh. Në 21 Janar u mbrojt shteti nga banda të pajisura me armë, kallëpe dinamiti. Dhe nuk ka pasur asnjë urdhër zjarri për gardën”, u shpreh ai. Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha sqaroi pozicionin e ish-qeverisë së tij për ngjarjen e 21 janarit 2011 ku mbetën të vrarë katër protestues, duke rrëfyer për herë të parë emrin e diplomatit amerikan që ndërmjetësoi mes tij dhe kryetarit të opozitës së asaj kohe Edi Rama, për qetësimin e situatës. Berisha tha se Thomas Countryman ishte personi që ndërmjetësonte mes tij dhe Ramës pas ngjarjes së 21 Janarit, duke shtuar se ia bërë të qartë këtij të fundit që t’i thoshte Ramës, se po të lëvizte një gjethe në 22 janar, pra një ditë pas protestës, sipas tij, do e kishte në lule të ballit nga 5 snajperë. “I thashë atij zyrtari shumë të lartë diplomatit Countryman, i cili pak muaj më pas do të merrte detyrën e ndihmës-sekretarit të Shtetit për Sigurinë, që ndërmjetësonte, që t’i thoshte se nëse një gjethe lëvizte nesër (22 janar) në territorin e Kryeministrisë ai do ta kishte në lule të ballit nga pesë snajperë. E keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thoshte se u kishin thënë shërbimet e huaja se do ta vrisnin?! I thashë unë, jo shërbimet e huaja, unë u thashë ndërmjetësve që t’i thonë dhe pse s’preku ai asnjë gjethe të nesërmen. Dhe kjo funksionoi, doli të nesërmen si çeçoja, i zbutur siç ishte dhe në fund bëri një intervistë e shoqja (e Ramës) dhe tha se i kishin thënë shërbimet e huaja se do ta vrisnin, jo, unë çova fjalë, i thashë, por të tjerët i pruri mish-për-top, vetë i mbushi [mbathjet] e veta dhe u tërhoq”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here