Google search engine
Home Politike Spartak Braho: Sali Berisha më i rrezikshëm se koronavirusi, frymëzues i vitit...

Spartak Braho: Sali Berisha më i rrezikshëm se koronavirusi, frymëzues i vitit të mbrapshtë 1997 dhe ideator i shumë krimeve

0
310

Deputeti socialist Spartak Braho, në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin” është ndalur dhe te zhvillimet e kohëve të fundit. Ai ka publikuar një intervistë të dhënë në shtyp për situatën e koronavirusit, ku shprehet se më i rrezikshëm se kjo sëmundje është vetëm një njeri dhe ai është Sali Berisha. Sipas tij, ai është ideator i shumë ngjarjeve të rënda në vend, sidomos në 1997.

NË SHQIPËRI KEMI DIKË MË TË RREZIKSHËM SE KORONAVIRUSI

– Më dukeni krejt i qetë, zoti Braho, kur kemi një situatë të jashtëzakonshme në vend si pasojë e koronavirusit. Si është e mundur kjo qetësi e juaja?

Jo se nuk kam frikë nga koronavirusi. I përshëndes masat e marra për t’u mbrojtur nga ky virus, por unë mendoj se kjo epidemi do të kalojë dhe ne do ta kujtojmë këtë periudhë kalimtare se si u shfaq ky virus, si erdhi në Shqipëri dhe pasojat e tij që mendoj se nuk do të jenë aq të frikshme sa flitet. Kemi kaluar edhe situata më të rënda gripale dhe sëmundjesh epidemike. Pa dashur të largoj vëmendjen nga rreziku i këtij virusi të rrezikshëm them se realisht Shqipëria ka probleme më të mëdha dhe më shqetësuese se koronaviruse…

– Si është e mundur? Si mund ta argumentoni këtë?

Miku im, këtë intervistë të radhës kisha menduar ta titulloja “Berisha në gjunjë të një spiuni”. Ju, siç e keni zakon, do të më pyesni ç’është ky titull thuajse absurd në një situatë epidemike? Keni të drejtë. Por mos harroni se Sali Berisha është më i keq se koronavirusi. Ideatori, frymëzuesi dhe zbatuesi i vitit të mbrapshtë 1997 është pikërisht ky njeri. E ai vit i zi mori mijëra jetë njerëzish të pafajshëm dhe vendi ishte realisht në pragun e një lufte civile që nxiti Sali Berisha. Pa përmendur më tej krimet e pafundme të këtij njeriu ende të pandëshkuar nga drejtësia shqiptare… Unë nuk jam profet, nuk mund të them dëmet e koronavirusit, por një gjë ua them me siguri: Dëmet e koronavirusit do të jenë shumë herë më të vogla se dëmet që i ka sjellë Sali Berisha këtij kombi në të gjitha aspektet. Madje edhe tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar do të duket lule para dëmeve të Sali Berishës.

– Sapo më thatë se këtë intervistë të radhës kishit dëshirë ta titullonit “Berisha në gjunjë të një spiuni”. Pse?

Këtë e mendova pasi ndoqa një emision të shkëlqyer në TV Top Channel të gazetarit Marin Mema. Pa dyshim që gazetari Mema me temat dhe kronikat pikante që kap e transmeton, ka tërhequr vëmendjen e opinionit tonë me një emision të posaçëm dhe me shumë audiencë, sepse ai është një patriot i vërtetë, kompetent dhe i kulturuar. E them këtë nisur nga emisioni i fundit “Gjurmë shqiptare” që i kushtohej një shovinisti antishqiptar grek, ndonëse i lindur në Dervician të Dropullit të quajtur Vasil Shahini. Bazuar në argumente të dokumentuara dhe analiza historike etj, rezulton se gati për më shumë se 15 vjet duke filluar nga 1928 deri 1943 kur u pushkatua V. Shahini mbart në biografinë dhe veprimtarinë e tij politike, njeriun e zi, ekstremistin shovinist antishqiptar, ithtar i teorisë së Vorio Epirit, përfaqësues i krahut ushtarak dhe i krijimit të organizatës terroriste famëkeqe, MAVI e krijuar me iniciativën e tij në tetor të vitit 1928. Ishte kjo organizatë autore e dhjetëra masakrave kundër popullsisë shqiptare dhe minoritare, por veçanërisht kundër popullsisë shqiptare me origjine çame. Ishte kjo organizatë pro fashiste që bashkëpunoi me krahun ekstremist grek dhe pushtuesit gjermanë në vrasje dhe operacione ndëshkuese ndaj patrioteve, elementëve përparimtarë, lëvizjes partizane etj. Këto përfundime relaton në studimet e saj edhe historiania Sonila Boçi.

– Mos kishte ndonjë teprim në historinë e gazetarit Marin Mema dhe mos po i biem më qafë Vasil Shahinit?

Jo nuk kishte asnjë teprim. Mema në atë emision tha aq sa mund të thuhet në një emision. Dhe unë nuk po i bie më qafë askujt kur them se Vasil Shahini ishte një antishqiptar i tërbuar…

– Ku e mbështesni këtë që sapo thatë?

Fare e thjeshtë. Po ju rendis disa fakte. Në përfundim të emisionit të dy studiuesit, S. Boçi dhe M. Mema e cilësojnë veprimtarinë e V. Shahinit të dallueshme e haptazi si agjenturore në shërbim të qarqeve jo zyrtare, por dhe sipas koniukturave zyrtare për të realizuar idenë shoviniste të Vorio Epirit për të vënë në jetë aneksimin e trojeve shqiptare etj. Pra përcaktimi i figurës “historike” të Vasil Shahinit rezulton të jetë thjesht agjenturor, në rolin e një spiuni politik të qarqeve shoviniste greke. Unë do të theksoja më tej: Vasil Shahini ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij, shërbëtor i qarqeve më të errëta të shovinizmit ekstremist nacionalist grek dhe një antishqiptar i përbetuar. Për këtë arsye, Vasil Shahini pati edhe një fund të palavdishëm e tragjik. Në nëntor të vitit 1943, ai u kap nga forcat partizane dhe u pushkatua. Ky ishte koka e agjenturës greke në Shqipëri. I skeduar nga qeveria e Sulejman Delvinës, Pandeli Evangjelit, Ahmet Zogut, italianëve dhe u vra nga partizanët shqiptarë. Strukturat policore për herë të parë te shtëpia e këtij në vitin 1928 gjatë një kontrolli zbuluan edhe atë që sot njihet si çështja e pensioneve (1). Ky e ka nisur shpërndarjen e tyre që në 1928. U dënua me internim nga qeveria e Pandeli Evagjelit për agjenturë greke. Nuk është pranuar nga shteti shqiptar si konsull në Sarandë sepse ishte agjent. Është themelues i organizatës terroriste Mavi fronti për çlirimin e Vorio Epirit. Ky e ka një CV antishqiptare të pafund.

– Zoti Braho, unë prapë këmbëngul: Pse duhet ta fajësoni Sali Berishën për Vasil Shahinin? Ç’lidhje ka Berisha me një grek, qoftë edhe antishqiptar?

Mos u bëni naiv. Më pyete, po të përgjigjem. Në 22 prill 1993, ish presidenti Sali Berisha i akordoi pikërisht Vasil Shahinit titullin “Martir i Demokracisë”. Por edhe më i çuditshëm është motivacioni i këtij dekreti: “I dalluar për bindje të thella patriotike e demokratike dhe i pa përkulur deri në fund të jetës së tij”. Ky ishte vlerësimi që i bëri këtij “patrioti” të madh Sali Berisha, por jo vetëm atij. Në këto vite, por edhe më pas S. Berisha dekretoi si patriotë të mëdhenj dhe rehabilitoi me dhjetëra kriminelë të tjerë të Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit etj.

– Ju mendoni se ky dekretim nga zoti Berisha ishte i qëllimshëm dhe me prapavijë politike?

Pa asnjë dyshim që mendoj kështu. Pse ia bëri këtë vlerësim Berisha kësaj figure të diskredituar antishqiptare që s’kishte asnjë qelizë shqiptare. Çfarë lidhje kishte ky kriminel i Luftës së Dytë Botërore me martirët e demokracisë? Dokumentet dhe faktet e jetës së tij flasin haptazi. Ai u shërbeu qarqeve shtetërore greke dhe antishqiptare të atyre viteve. Sali Berisha ra në gjunjë të një spiuni të mirëfilltë grek. Dhe rënien në gjunjë ndaj shërbimeve të huaja të vendeve fqinje, Sali Berisha nuk e kishte për herë të parë…

– Pse jeni kaq i revoltuar Spartak me nderimin që i ka bërë Berisha Vasil Shahinit?

Keni të drejtë. Akti i Sali Berishës i para 27 vjetëve do të ishte harruar si shumë bëma të këtij personi. Mirëpo, çfarë ndodhi para disa kohësh? Për të nderuar Vasil Shahinin, tani që janë socialistët në pushtet, ndodhi diçka e pangjarë ndonjëherë me vendosjen e bustit të tij në Derviçan të Gjirokastrës. Ky akt më detyroi të flas, pasi u tha zyrtarisht nga Bashkia Dropull që e kanë bërë bustin sepse ai është martir i demokracisë. Është e njëjta gjuhë me Berishën e para 27 viteve dhe kjo është sa e papranueshme, aq edhe revoltuese.

– Dakord, Spartak, e kuptoj zemërimin tuaj në këtë rast. Por po i kthehem fillimit të bisedës: Pse e quani Sali Berishën më të keq e më të rrezikshëm se koronavirusi?

Sepse i tillë është. Kam sjellë aq shumë fakte e dëshmi për krimet e këtij personi, sa më duket sikur e mundoj lexuesin duke i përmendur sërish ato. Miku im, Xhevdet, ne kemi bërë shumë intervista bashkë dhe unë e kam shprehur botërisht bindjen time. Por ne jetojmë një kohë paradoksesh. Pse e them këtë? Ja, ne kemi folur vitin e kaluar për dëmin e madh që ka sjellë një person me emrin Agron Tufa në historinë e Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po ju sjell sot këtu se çfarë ka thënë Agron Tufa, para studentëve të UET të Henri Çilit, më 3 prill 2019 (botuar në “Panorama” 4 prill): “Nazistët vërtet i çonin hebrenjtë në krematoriume, në gas, por duke vepruar kështu, ua shkurtonin vuajtjet”. E pra, ky është edhe një tjetër patriot i “madh” që i ka dalë në mbrojtje Sali Berisha njësoj si Vasil Shahinit, për të cilin fola më sipër…

– Megjithatë, duket se në ligjërimin tuaj merreni më shumë se duhet me Sali Berishën. Pse e bëni këtë? Ai tashmë thuajse nuk është në politikë dhe duket se nuk ka asnjë rol në ngjarjet aktuale…

Më vjen keq që mendoni kështu. Kur të thashë pak më sipër se Sali Berisha është më i keq se koronavirusi, nuk ta thashë kot. Ai është koka e të gjithë krimeve që janë bërë dhe bëhen në këtë vend. Deri te protestat e Ilir Metës gjoja në mbrojtje të Kushtetutës. Kush do të na i mbrojë Kushtetutën? Sali Berisha? Ai që e bojkotoi votimin e saj në referendum në vitin 1998? Po kjo është për të vënë kujën! Kurrë nuk ka për të bërë hair ky vend po besoi në një demagogji të tillë kriminelësh dhe hipokritësh të paskrupullt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here