Google search engine
Home Aktualitet Muzeu “Onufri” në Berat, me një fond të pasur ikonografik

Muzeu “Onufri” në Berat, me një fond të pasur ikonografik

0
296

Muzeu Kombëtar “Onufri” gjendet në qendër të lagjes së banuar në kalanë mesjetare të qytetit të Beratit. Ai është vendosur në mjediset e kishës së katedrales së Shën Marisë. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në një material më parë ka publikuar një link për një tur virtual në këtë institucion dhe shprehet se në muze mund të njihemi me një fond të pasur ikonografik, si dhe me disa objekte të shërbesës. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit XIX. Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Zbukurimet e ikonostasit paraqesin disa karakteristika dhe parime të stilit barok, një prirje mbizotëruese dhe dalluese e kishave të ndërtuara në Ballkan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. Të gjitha këto motive janë të gërshetuara me elementë të tjera të traditës bizantine. Nën dyshemenë e absidës me 12 Gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe pas Krishtit “Codex Aureus Anthimi” i shek IX. Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here