Një marshim proteste që ishte paralajmëruar të zhvillohet sot ka nisur, po ashtu njoftohet se pritet një tjetër në 16:00 lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi dje, kur policia qëlloi me armë zjarri për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha.
Forumi Rinor i Partisë Demokratike në një deklaratë për media bën me dije: “Në orën 11.00 të rinjtë demokratë nisin tek Ministria e Brendshme një marshim protestë për ekzekutimin nga policia të të riut Klodian Rasha. Itinerari i marshimit do të jetë Ministria e Brendshme-Bulevard-Kryeministri”.
Dje ka pasur një reagim edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, që në një status në rrjetet sociale shprehet: “Qytetarët po organizohen përmes rrjeteve sociale për të protestuar nesër në orën 16.00 përpara ministrisë së krimit që bëri gjithçka për të manipuluar këtë vrasje shtetërore duke u bërë palë me vrasësin. Thirrja qytetare kërkon angazhim të gjithë shoqërisë në protestë në orën 16.00 para ministrisë së krimit”.
Dje, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) nga hetimet paraprake doli në përfundimet se veprimet e punonjësit të policisë N.H. bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Babai i të ndjerit ka përsëritur edhe një herë sot apelin se duhet të vendoset drejtësi për vrasjen e të birit para derës së shtëpisë.
Thirrja e organizatorëve
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rashës në mes natës në pragun e derës së shtëpisë, në çdo rrethanë të mundshme, është një këmbanë alarmi për rendin dhe sigurinë në vend. Pa dhënë një arsyetim logjik dhe ligjor të bazuar, një person me uniformën e Policisë së Shtetit, ekzekuton një të ri “se dyshonte që ishte kërcënim për rendin”.
Ditën e sotme, datë 09.12.2020, në orën 16:00 para ministrisë së Brendshme, PROTESTOJMË!
Tubimi do të jetë paqësor dhe në zbatim të protokolleve të pandemisë, pjesmarrjen nuk e përcaktojmë ne, por se sa është ndjeshmëria qytetare për rëndësinë e jetës. Jeta është më e rëndësishme se dyshimi i një efektivi.
Merreni këtë mesazh copy paste dhe publikojeni në profilin tuaj. Të gjithë me njëri-tjetrin për njëri-tjetrin.
![Vrasja e Klodian Rashës që tronditi opinionin publik/ Ja](https://cdnimpuls.com/sot.com.al/media3/-640-0-5fd0954d7887e.jpg)