Pas gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve në veting do të futen edhe Oficerët e Policisë Gjyqësore. Gazeta ka siguruar një rregullore të Prokurorisë së Përgjithshme ku jepen detajet se si do bëhet vlerësimi i anëtarëve të OPGJ. Sipas këtij dokumenti, vlerësimi i deklarimeve do të bëhet çdo vit. Prokurorët grumbullojnë të dhënat e deklaruara nga oficerët, por edhe ato të regjistruara në institucion dhe në përfundim pasqyron çdo punë apo çdo shkelje dhe parregullsi për secilin anëtar. Më pas vlerësimet e bëra i dërgohen Komisionit të Policisë Gjyqësore për një vlerësim më të thelluar të anëtarëve. “Vlerësimi i rezultateve individuale të oficerëve të policisë gjyqësore kryhet për çdo vit. Prokurorët duhet të plotësojnë në çdo fund viti, pasqyra të sakta me emrat e oficerëve që kanë angazhuar gjatë vitit me hetimin e procedimeve penale, numrin e procedimeve penale që ka hetuar secili oficer i policisë gjyqësore dhe problematikat, parregullsitë dhe shkeljet e kryera prej tyre. Çdo vit brenda muajit shkurt, Drejtuesi i Prokurorisë, pasi ka marrë dhe mendimin me shkrim nga prokurorët, i paraqet Komisionit të Policisë Gjyqësore vlerësimin e rezultateve të punës për oficerët e policisë gjyqësore”, thuhet në rregullore. Ndërsa theksohet se hetimi për detajet e deklaruara do të jetë i rreptë dhe i barabartë për çdo oficer.
E drejta për ankimim
Sakaq tregohet se në këtë proces deklarimin parësor të të dhënave e bën vetë oficeri përmes plotësimit të një formulari që i vihet në dispozicion. Më pas prokuroria i bën një vlerësim formularit duke evidentuar shkeljet profesionale dhe morale të gjithsecilit. Raporti i vlerësimit do firmoset më pas edhe nga vetë oficeri nëse është dakord, nëse jo ai mund të ankimohet pranë Komisionit të Policisë Gjyqësore. “Me qëllim lehtësimin e këtij procesi, oficeri i policisë gjyqësore, çdo muaj plotëson formularin e aneksit. Në formular, Drejtuesi i Prokurorisë përshkruan veprimtarinë e oficerit të policisë gjyqësore, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm si dhe duke u shprehur për secilin tregues të punës mangësitë profesionale dhe etike. Oficeri i policisë gjyqësore duhet ta nënshkruaj raportin e vlerësimit brenda 5 ditëve, edhe kur nuk është dakord, brenda këtij afati duhet të paraqes me s kundërshtimet e tij në Komisionin e Policisë Gjyqësor”, thuhet në dokument.
Pikëzimi i vlerësimit
Ndër të tjera në rregullore bëhet e qartë se, niveli i përgjithshëm i vlerësimit, përfshin të gjithë kriteret e vlerësimit dhe përcaktohet mbi bazën e një shkalle pikëzimi nga 1 deri në 100 pikë. Shkalla dhe maksimumi i pikëve për çdo kriter vlerësimi përcaktohen mbi bazën e rëndësisë dhe peshës që ka secili kriter në evidentimin e aftësive dhe integritetit të oficerit të Policisë Gjyqësore, por shuma totale e pikëve të caktuara për kriteret nuk duhet të jetë më shumë se 100 pikë. Sipas raportit, shkalla e pikëzimit që përcakton nivelet e vlerësimit do të jetë sipas këtyre niveleve: “I paaftë”, “Mjaftueshëm”, “Mirë”, “Shumë mirë”. Vlerësimi “I paaftë” jepet në rastet kur shuma e pikëve të mbledhura për të katër kriteret është jo më shumë se 30 pikë, “Mjaftueshëm” kur shuma e niveli i pikëve është 31-50. “ Mirë” kur niveli i pikëve është 51 -80,“Shumë mirë” me 81 – 100 pikë. Është e detyrueshme që brenda çdo kriteri vlerësimi të bëhet ndarja e pikëve sipas rëndësisë së çdo treguesi vlerësimi. Ndarja e kritereve të vlerësimit, lista e aspekteve të çdo kriteri, treguesit e vlerësimit dhe pikëzimi i tyre sipas nivelit, në funksion të pikëzimit dhe të vlerësimit final të oficerit të policisë gjyqësore do të bëhet sipas tabelës së pikëzimit, pjesë e Aneksit 2 të kësaj rregullore, ku pasqyrohet dhe formulari i plotësuar nga anëtarët.










































