Google search engine
Home Dosier Tradhtitë e ballistëve/ Spartak Braho nxjerr letrën e Mit’hat Frashërit për Napoleon...

Tradhtitë e ballistëve/ Spartak Braho nxjerr letrën e Mit’hat Frashërit për Napoleon Zervën dhe dokumentet e CIA për Ballin Kombëtar

0
401

Deputeti socialist Spartak Braho, në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, i ka kushtuar një rëndësi të madhe luftës partizane. Në vend ka pasur shumë debate sa i takon kësaj lufte, ndërsa disa studiues kanë hedhur dhe akuza, me në krye Agron Tufën. Braho në librin e tij u përgjigjet gjithë kritikëve, ndërsa ka publikuar dhe dokumente, që tregojnë sipas tij, se tradhtarë ishin ballistët dhe se partizanët luftuan për liri. Sot po publikojmë një letër të Mit’hat Frashërit drejtuar Napoleon Zervës. Po ashtu Braho ka publikuar dhe disa të dhëna të CIA për Ballin Kombëtar.

LETRA E MIT’HAT FRASHËRIT

Shqipëria e Shqiptarëve, Vdekje e Tradhtarëve

Balli Kombëtar

Shqipni e Lirë, 10. 5 1944 Komiteti Qendror

Numri 191/7

Zotit Dhimitër Fallo, Selanik

I dashuni Zoti Fallo,

Letrat e juaja të shkrueme më 10 edhe më 23 të Prillit i muerëm. Ju falemi për gjithë sa keni bamë deri më sot edhe kemi shum shpresë që me aktivitetin t’uej të gjejnë nji përfundim të mirë tratativat për marrëveshje.

Z. Xhavit Leskoviku, qi u nis për në Athinë, pa dyshim ka pjekun me ju dhe ju ka dorëzue nji fond të vogël qi kishte marrë për Zotninë e juej. Simbas projektit qi kemi, zotnija e juaj do të jeni përfaqësues i Ballit Kombëtar, Z. Xhavit Leskoviku i Qeverisë, z. Koço Kota i Partisë Zogiste, Z. Selman Riza i Kosovës. Bashkë me zotninë t’uej do të jetë, si përfaqësues i Ballit, edhe z. Koço Tasi,me të cilin që afro tre vjet jemi në regata shum të mira. Bashkë me këtë letër po ju dërgojmë pasaportën si edhe letrën t’onë të përfaqësimit.

Vimë tash te pikat mbi të cilat do të jetë bazue marrëveshja e jonë:

Mbasi çështja e lidhjes në formë federative, varet nga mundësitë e mbasluftës,

prandaj të dy palët marrin angazhimin që sot se janë të gatshme të disponuam për realizimin e këtij projekti.

Baza e lidhjes do të jetë independenca dhe sovraniteti i plotë i të dyja palëve.

Kufijtë greko-shqiptarë do të jenë ata të vitit 1939 dhe do të deklarohen solemnisht.

Bajmë aleancë mossulmimi, defensive dhe ofensive, si dhe lidhje ushtarake. Traktate ekonomike ndërmjet të dy palëvet.

Do të përpiqemi qi kjo lidhje të bëhej sa ma parë, një lidhje greko-turko- shqiptare.

Në rast lufte, komanda e përgjithshme ushtarake do të vihet në dorë të Greqisë.

Si rezultat i kësajë marrëveshjeje, të dy palët do të paraqiten përpara konferencës së paqes si dy palë me nji të vetëm interes, tue përkrahun politikën e shoku-shokut. Greqija do të angazhohet të mbështesi rivendikimet Shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, qëkështu në kohën e ardhshme të mund t’i bahet ballë rrezikut sllav, qi kërcënon të dy palët, dhe rezikut qi vjen nga ana e tjeme e Adriatikut.

Në qoftë se zihet me gojë çështja e minoriteteve, kjo mund të jetë ma fort nji mjet afrimi ndërmjet të dy palëvet se sa nji mjet largimi. Për përdorimin t’uej, t’a kini ndërmend se minoritetet duhet t’i kqyrim me sy të mirë të dy palët edhe të kenë të drejtat e tyne.

Të fala Kryetari Mit’hat Frashëri

Po deshët kundërshtoni “zotërinj” ballista…

Pjesë nga raporti i CIA-s për Ballin Kombëtar viti 1950

…Qenia e këtyre dy forcave të armatosura, partizane e balliste, jo të bashkuara, gati kundërshtare qysh në fillim, nuk mund të mos lindte konfliktin. Ky konflikt do të shpërthente pa tjetër në një kohë, duke degjeneruar në një luftë vëllavrasëse, po qe se nuk bashkoheshin.

A ishte i mundur bashkimi personalisht? Kam bindjen se një bashkim real dhe jo një nënshtrim i njërës forcë tek tjetra, ishte i pamundur. Partia Komuniste, me pozita më të shëndosha, nuk mund të pranonte kurrë uljen e saj në një rang me Ballin Kombëtar. Nga ana e tij, Balli Kombëtar ishte shumë vështirë të pranonte nënshtrimin e tij te Partia Komuniste, (sepse në fakt, komunistët kështu e nënkuptonin bashkimin). Në këto kondita, pra, deri sa as njëra nga të dy palët nuk mund të bënte koncesione në këtë fushë vendimtare, konflikti i armatosur midis të dy forcave ushtarake (balliste e partizane) ishte i paevitueshëm.

Opinioni tim është ky: Sa më shpejt të provokohej ky konflikt, aq më mirë do ishte për Partinë Komuniste. Sa më vonë, aq më në favor të Ballit Kombëtar. Pse?

 a. Sepse Balli gjatë kësaj periode, po i shtonte forcat e tij me një ritëm më të shpejtë se sa ritmin komunist. Në fakt, nuk duhet harruar se çetat dolën në fillimin e 1943. Komunistët kishin një avancë prej një viti.

b. Sepse Balli, kishte nevojë absolute t’i forconte organizativisht njësitet e tij bashibozuke, të mjafta në sasi, por pa asnjë vleftë në cilësi.

Me gjithë këtë, Balli Kombëtar, në këtë fushë, veproi rrëmbyeshëm. Ai ra pikërisht në pozitat ku deshi ta shtynte Partia Komuniste, duke marrë iniciativën e konfliktit të armatosur, – shkurt, duke iu përgjigjur provokacionit komunist.

Rezultati i këtij konflikti të armatosur nuk vonoi të dukej. Zona e kontrolluar nga ballistët u zvogëlua; njësitë e armatosura të tij shpartalloheshin gati në çdo luftim nga partizanët. Puna ideologjike ishte aq e dobët me ushtrinë balliste, sa që pjesëtarët e kësaj ushtrie dezertonin sa herë t’u tekej. Në këto kondita, rekrutët e rinj vullnetarë preferonin të shkonin më mirë në atë palë që dilte fitimtare, se sa me atë palë (domethënë ballistë) që mundej.

Mbarimi, pra, i kësaj periode, domethënë, fundi i verës 1943, e gjen Ballin Kombëtar në pozita jo të favorshme dhe me perspektiva akoma më të errëta. Ta mbash një gjë që ke është më kollaj se sa të rrëmbesh atë të tjetrit. Kjo ndodhi edhe me Ballin. Gjatë përpjekjeve me partizanët, (të para), ai humbi shumë nga zonat e tij, (e rrjedhimisht edhe burimin e këtyre zonave me njerëz); t’i rrëmbente paskëtaj nga partizanët do ishte akoma më vështirë, aq më tepër, sepse mjaft nga forcat e tij dezertuan. Gradualisht, por sistematikisht, Balli ishte i destinuar, që nga kjo kohë, të mbyllej përherë e më tepër në zona më të kufizuara gjeografike, të humbte përherë e më tepër forca të gjalla në njerëz.

PERIODA E IZOLIMIT – Fillon me vjeshtën e 1943 dhe mbaron nga fundi i vjeshtës 1944. Dihet se në shtatorin e 1943 trupat italiane kapitulluan. Partizanët e shfrytëzuan në maksimum këtë situatë të favorshme për ta. Zgjeruan zonat nën kontrollin e tyre, u armatosën mirë dhe i dhanë disa goditje të rënda të tjera ushtarake Ballit. Pozita e këtij të fundit ishte bërë dëshpëruese. Për të ristabilizuar situatën, sepse vetë në format e tij ishte i destinuar të falimentonte që atëherë, deshi, s’deshi, Balli u lidh me gjermanët. Njësitet balliste lanë shumicën e zonave të tyre që u kishin mbetur dhe hynë nëpër qytetet ku sundonin gjermanët.

 Këta u dhanë armatime dhe i përdorën si trupa ndihmëse. Për një kohë të shkurtër iu lanë edhe mbajtjen e rendit nëpër disa qytete (Korçë, për shembull). Kështu, të armatosur dhe të përkrahur nga gjermanët, trupat e Ballit Kombëtar ndihmojnë repartet gjermane në operacionin e tyre të dimrit 1943-1944, me qëllim që të rifitojnë zonat e humbura. Përballë reparteve gjermane që drejtonin këtë ofensivë, trupat partizane u tërhoqën nga disa krahina të tyret. Në këto krahina u rivendosën ballistët, ngritën spitale, komanda ushtarake, etj. Mirëpo qëndrimi i tyre ishte shumë i shkurtër. Gjermanët pasi shkelën dhe përshkuan tërë Shqipërinë e Jugut, që ishte nën influencën dërmuese partizane, i hoqën trupat e tyre ndëshkuese-operative nga Shqipëria në Greqi-Jugosllavi. Partizanët që ishin futur vrimave gjatë kësaj kohe, rikthehen me forcat e tyre të paprekura dhe në disa përpjekje të vogla i dëbojnë përsëri ballistët. Situata kthehet shumë shpejt në gjendjen e mëparshme. Por jo në të gjitha qarqet. Partizanët fitojnë ato që humbën dhe diçka më tepër në qarkun e Korçës, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës. Në Elbasan, Dibër dhe Tiranë, ku më përpara kishin baza të tyre të rëndësishme, komunistët kanë falimentuar si forcë ushtarake. Balli e shfrytëzon këtë situatë vetëm në Elbasan, duke formuar organizativisht njësitet balliste dhe duke i shtuar. Në Dibër e Tiranë gati nuk bënë asgjë. Në qarqet e tjera të Veriut as që e çanë kokën të organizojnë diçka.

Këtë gabim trashanik Balli Kombëtar e pagoi shtrenjtë. Në fakt, që në verën e 1944, Partia Komuniste çon në Veri nga jugu Divizionin e I-rë sulmues (Brigada e IV-të, e V-të, e I-rë). Vetëm me këtë divizion komunistët sundojnë krejt situatën në veri dhe bëhen praktikisht zotë të vendit. Bajraktarët ballistë, pa forca të organizuara, u zunë në befasi. Po ashtu edhe bajraktarët legalistë. Çetat balliste të Elbasanit shpartallohen që në goditjet e para. Forcë tjetër të organizuar thjesht balliste, nuk ndeshën partizanët. Ata kanë ndeshur në trupa bashibozuke, të padisiplinuara, të mbledhura shpejt-e-shpejt nga individë feudalë, por këto forca nuk qenë në gjendje t’i rezistonin disiplinës, kombativitetit dhe armatimit të Divizionit të parë.

PERIODA E DISFATËS TOTALE – Përfshin muajt që shtrihen nga fillimi

i vjeshtës 1944 në fund të nëntorit 1944. Është perioda kur Balli, praktikisht, mbetet pa forcë ushtarake. Njësitet e tij shpërndahen, kthehen nëpër familje ose marrin rrugën e arratisë, prapa autokolonave gjermane. Disfata ushtarake është fare e qartë dhe e pandreqshme dhe kjo kuptohet mirë nga krerët e Ballit. Në këtë situatë, ata orvaten të regjistrojnë, qoftë edhe formalisht, një fitore politike. Bien në marrëveshje me elementet e Legalitetit dhe mblidhen në Prezë (afër Tiranës) në një konferencë nacionaliste për krijimin e një qeverie mali, me qëllim që të kenë shkak dhe pretekst në të ardhmen, kur të çlirohet Shqipëria, të kërkojnë nga aleatët përfaqësimin e tyre në qeverinë e Shqipërisë së çliruar. Mirëpo Preza (jo Peza) rrethohet, sulmohet nga partizanët dhe delegatët ua mbathin këmbëve, duke lënë të paprekur dhe të shtruar darkën që do të mbyllte me sukses negociatat e tyre. Tamam si ndodhia e Pompeut me Çezarin! Nëntori i 1944, domethënë tërheqja e gjermanit të fundit nga Shqipëria, mbylli pa lavdi këtë periodë disfate totale për Ballin. Që atëherë e deri tani për këtë organizatë ka filluar një periodë e re, mbi të cilën njohuritë e mija janë hiç.

Kaloj, tani, në arsyet që përcaktuan përgjithësisht disfatën e Ballit. Këto arsye do t’i ndaj në dy grupe:

a. Shkaqe organizative

b. Shkaqe politike

ORGANIZATIVE: Gjatë tërë historisë së tij, Balli Kombëtar ka vuajtur nga mungesa e organizimit. Në të kish bërë fole anarkia feudale. Analizoj një për një ato shkaqe që më janë dukur më të rëndësishme të kësaj natyre:

1. Balli Kombëtar doli me vonesë të pajustifikuar në mal; me vonesë të pajustifikuar si organizatë politike, me vonesë të pajustifikuar si program. Kur Balli dolli në skenën politike të Shqipërisë, Partia Komuniste e kishte marrë situatën në duart e veta.

2. Krerët e kësaj organizate nuk ishin elementet dhe personat që kërkonte situata. Situata qe revolucionare. Duheshin njerëz të aksionit, energjikë, të iniciativave të guximshme. Shumica e njerëzve të Ballit qenë njerëz biblioteke. Ata dinin metodat e luftës dhe të aksionit që mund të jepnin rezultate në kohën e shembjes së Perandorinë Otomane, këtu e ½ shekulli më parë, ata as që u orvatën që të munden të shkëputen nga këto metoda të vjetërsuara dhe të tejkaluara nga koha. Ata nuk panë se në shoqërinë shqiptare, vitet e fundit, qe bërë një ndryshim i madh social.

3. Balli Kombëtar dhe krerët e tij sidomos nuk kishin eksperiencën e luftës ilegale të qytetit. Dhe qyteti, sikurse dihet, ushtron influencën e tij të madhe mbi fshatin. Këtë plus të madh që kishin komunistët (të fituar nga eksperienca e punës ilegale në kohën e grupeve), e injoronin udhëheqësit e Ballit. Organizimi i tyre nëpër qytetet ka qenë zero.

4. Ballit Kombëtar i mungonin në një masë të madhe kuadrot e përgatitura të mesme, pikërisht heronjtë e panjohur që kanë të bëjnë direkt me aksionin. Partia Komuniste, sado që, me një numër anëtarësh të kufizuar, kishte me dhjetra e dhjetra komisarë politikë, puna praktike dhe ideologjike e të cilëve në mal ishte vendimtare. Kuadrot zgjidhnin çdo gjë. Idetë, teoritë, planet janë vetëm programe në letër.

5. Balli Kombëtar si organizatë në vetvete, ishte amorfe, pa strukturë, pa organizata-bazë. Një shtab që është i çorganizuar vetë, nuk mund të udhëheqë dhe të organizojë masat poshtë.

6. Tërë puna e Ballit bazohej në tarafet dhe miqësitë. Komandantët e njësiteve të tyre ishin në këtë post, jo sepse qenë ushtarakë, po sepse kishin lidhje far e fisi me ndonjë eksponent. Ballisti i bazës shkonte pas eprorit të tij, jo sepse ishte bërë një punë ideologjike me të, jo sepse e deshte Ballin, por sepse e kish mik ose taraf filan komandant, filan figurë të Ballit. Po të ndërronte mësallë ky komandant, ndërronte dhe ballisti i bazës.

7. Disiplina e Ballit qe një disiplinë karagjozi. Secilido bënte si t’i thoshte koka. Kjo ndodhte jo vetëm poshtë, por edhe në udhëheqje. Shumë të rralla ishin ato njësite të Ballit që t’i bindeshin udhëheqjes lart. Çdo komandant kish principatën e tij, prej nga nuk largoheshe, ku nuk pranonte ndërhyrjen e ballistëve më të mëdhenj, ku vepronte si t’ia donin interesat e tij personale. Ai ishte feudal në një anarki organizative feudale.

8. Mungesë e plotë uniteti. Jo vetëm poshtë, por edhe lart në udhëheqje. Çdo ballist në njëfarë pozite kishte programin e tij, parimet e tij, idetë e tij. Në vetë Komitetin Qendror të Ballit anëtarët e tij përfaqësonin secili rrymën e vet. Njëri jepte një udhëzim që anulohej nga tjetri dhe anasjelltas.

9. Balli nuk kuptoi dhe as që veproi në mënyrë që të organizonte ushtarakisht bajraktarët e Veriut. Veriu, nga vetë traditat, zakonet, përbërja shoqërore, ishte një kështjellë natyrale e Ballit Kombëtar. Balli Kombëtar e injoroi këtë kështjellë. Sot ka një thënie amerikane: “Ku ka një rus, duhet të jetë edhe një amerikan”. Balli veproi pikërisht kështu. Ai ngriti njësite të armatosura vetëm në ato krahina ku ekzistonin partizanët. Pse të mos ngrinte në Veri, ku i kishte të gjitha të dhënat?

10. Sjelljet e çetave balliste në popull qenë prej bashibozukësh. Mungesa e kuadrove të përgatitura politike i bënte këto çeta të silleshin dendur si çeta hajdutësh e cuba mali. Si mund të fitonin simpatinë e popullatës njerëz që nën pretekstin se ishin patriotë e luftëtarë kërkonin desh të pjekur e byrek të mbytur në gjalpë?

11. Balli Kombëtar në analizë të fundit, injoroi fare punën me shtresat e ndryshme të popullsisë: asnjë formë organizimi për rininë, asnjë formë organizimi për gruan, asnjë formë organizimi për moshatarët.

Kujtime të Xhelal Staraveckës, autor i librit “Përpara gjyqit të historisë”

Një dëshmitar tjetër okular i kësaj periudhe i cili ditët e fundit të robërisë u tërhoq së bashku me trupat gjermane nga territoret e Shqipërisë ishte Xhelal Staravecka. Në librin e tij të kujtimeve “Përpara gjyqit të historisë”, ai kujton “krerët e Ballit Kombëtar u gënjyen keqazi dhe ata me veprime fallso vetëm hodhën dy – tre pushkë në ajër kundër gjermanëve ditët e fundit të largimit të tyre”:

“Me mbërritjen në Itali, Mit’hat Frashërin dhe Ali Këlcyrën forcat aleate i arrestuan dhe i burgosën si bashkëpunëtorë të nazifashizmit dhe i dënuan si kriminel lufte duke i mbajtur në burgjet italiane për disa vite”, (Xhelal Staravecka, f.153).

Të dënuar si kolaboracionist dhe kriminel lufte nga forcat aleate, ky ishte fundi i krerëve të Ballit Kombëtar, i Mit’hat Frashërit dhe Ali Këlcyrës, duke i vënë vulën veprimtarisë së tyre në favor të pushtimit nazifashist. Këto janë fakte që mbështeten në vendime gjyqësore të strukturave gjyqësore ushtarake të forcave aleate. Dihet tashmë zyrtarisht nga raportet e shërbimeve amerikane fundi enigmatik i Mit’hat Frashërit në një hotel të Uashingtonit më 3 tetor 1949. Dihet gjithashtu se rreth kufomës të Mit’hat Frashërit u bënë dhe shumë debate, sherre dhe kundërshtime nga ata që e kishin ushqyer për pesë vjet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here