Google search engine
Home Politike Topalli akuza Bashës për shtim të vilave/ Të tregojë emrat e oligarkëve,...

Topalli akuza Bashës për shtim të vilave/ Të tregojë emrat e oligarkëve, “goditje” Berishës për investimet në arsim e shëndetësi

0
358

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, duket se do të jetë e vetme përballë partive të mëdha në zgjedhjet e 25 prillit. Për ish-kryeparlamentaren, e gjithë klasa politike është përgjegjëse për situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi. Ajo nuk ka kursyer kritikat ndaj liderit demokrat Lulzim Basha, i cili shpesh deklaron se qeveria është e kapur nga oligarkët. “Opozita duhet të fliste me emra, po ike nga emrat dhe bën seleksionim tek oligarkët je i pabesueshëm dhe njerëzit kanë të drejtë të pyesin si i shton ti dy vila në kohë pandemie”, ka thënë Topalli në një intervistë për televizionin “Klan”. Por ajo nuk i ka kursyer goditjet dhe për Sali Berishën. Teksa bën fajtorë kryeministrin Rama dhe të majtën ndër vite për mosmenaxhim të situatës së pandemisë, jo pak kritike është edhe ndaj qeverisjes së djathtë , për të cilën thotë se nuk investoi sa duhet në shëndetësi dhe arsim. “Ne jemi këtu se nuk është menaxhuar gjatë viteve në mënyre korrekte e ligjore, këto janë fatura që në moment të caktuar ti kupton sesa pak i përgjegjshëm ke qenë në trajtimin e këtyre fushave”, ka thënë Topalli. Kryetarja e lëvizjes për ndryshim është ndalur dhe te situata ekonomike. Sipas saj sot gjysma e popullsisë është në varfëri ekstreme. Sipas saj niveli i varfërisë ka shkuar në 40 për qind. Ndryshe nga kryeministri Rama, ajo sheh një panoramë edhe më të zymtë për atë që i pret shqiptarët vitin e ardhshëm, kur i referohet buxhetit për vitin 2021. “E çon borxhin në 90%. Ky është buxhet elektoral, i qëndron larg problemeve dhe presionit të jetës ekonomike në tërësi dhe të halleve familjare në veçanti”, ka thënë Topalli. Fatura shtesë në portofolin e familjeve shqiptare sipas kryetares së Lëvizjes për Ndryshim vjen edhe për shkak të koncesioneve që kapin vlerën e 144 milionë dollarëve të parashikuara nga qeveria në librin e financave. “Aq sa parashikohet për rritjen e rrogave dhe njerëzit në nevojë shifra për këtë zë është e barabartë për 13 koncesione funksionale, ndaj të cilave duket se risku merret përsipër nga shteti shqiptar”, vijoi ajo.

Akuzat e Topallit

Ditët e fundit edhe në statuset në rrjete sociale Topalli është ndalur te situata ekonomike. Sipas saj, 60% e të varfërve në Shqipëri nuk kanë ushqim të mjaftueshëm dhe cilësor, krahasohemi me Afrikën. “Shqipëria renditet ndër vendet europiane me ekspozimin më të lartë të të varfërve ndaj mungesës së sigurisë ushqimore. Më keq se Shqipëria janë vetëm disa vende të Afrikës. Me krizën ekonomike që ka krijuar Covid-19, popullsia e paushqyer po rritet. Mungesa e sigurisë ushqimore trajton kompleksitetin e urisë. Pasiguria e rëndë e ushqimit është e lidhur ngushtë me mosushqyerjen ose përjetimin e urisë. Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se Shqipëria ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në Europë në totalin e shportës, një tregues indirekt i varfërisë. Sipas të dhënave që i referohen vitit 2019, rreth 41% e shpenzimeve totale shkonin për t’u ushqyer, përkundrejt 34% në Kosovë, 33% në Maqedoninë e Veriut, 27% në Bosnjë dhe më pak se 24% në Serbi e Mal të Zi. Ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian e peshës së ushqimeve në totalin e shpenzimeve për konsum është 12%”, ka thënë Topalli përmes një statusi në rrjetet sociale. Ish-deputetja ka deklaruar se ndryshimi vjen vetëm duke përmbysur këtë klasë politike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here