Google search engine
Home Sport Baloteli i jep drejtim karrierës/ Berluskoni e përfshin në ekipin e Monzës...

Baloteli i jep drejtim karrierës/ Berluskoni e përfshin në ekipin e Monzës në Serie B

0
303

Në hapat e tij të parë ai ishte një prej futbollistëve më të talentuar, që konsiderohej se do të linte gjurmë të mëdha në futboll dhe paraqitjet e para të tij lanë mbresa shumë pozitive, aq sa ftesa për në përfaqësuesen italiane jo vetë, erdhi me kënaqësi, por njëherësh dhe aktivizimi i futbollistit u bë menjëherë si pasojë e presionit publik. Disa ndeshje spektakolare të tij ndaj Gjermanisë bënë bujë të madhe dhe prej atij momenti u duk se karriera e tij do të njihte vetëm majat. Por nuk ishte personazhi i duhur në jetë për ta bërë këtë. Veset, inatet, rebelimi, si dhe mjaft veprime të tjera e nxorën atë në faqet e para të medieve të shkruara dhe online jo si futbollist cilësor, por si shkelës i ligjit. Bëhet fjalë për Mario Balotelin, karriera e të cilit ka njohur dritë-hijet e tij, ulje-ngritje të pabesueshme, por është fakt që pas një suksesi fillestar, e gjithë madhështia që atij i kishte falur natyra, pra talenti i tij, nisi të shkërmoqej nga sjellja e papërgjegjshme në klubet ku u aktivizua. Arriti puna deri aty sa për Mario Balotelin jo vetëm që nuk kishte ftesa të rëndësishme, por të gjithë klubet përpiqeshin ta mbanin atë sa më larg. por ditët e fundit duket se ka marrë për mirë zgjidhje, pasi një “dashuri” e vjetër kërkon ta kthejë në fushë e t’i japë një mundësi, ndoshta mundësinë e fundit. Ka zbritur një kategori më poshtë, por do të ketë mundësinë të luajë dhe të tregojë vlerat e tij të dikurshme. S’do të jetë Milani i tanishëm, por do të jetë një skuadër e Berluskonit dhe kjo e bën të ngjashëm. Kështu, pas disa muajsh pa skuadër, Mario Baloteli do ta nisë nga Seria B, pasi ka arritur marrëveshjen me dyshen Berluskoni-Galiani për t’iu bashkuar skuadrës që ata kanë në pronësi, Monzës. Nesër sulmuesi 29-vjeçar do të kryejë testet mjekësore dhe nëse gjithçka do të shkojë mirë, atëherë do të firmosë një kontratë deri në fund të sezonit me Monzën, me opsionin për rinovimin edhe një vit tjetër. Vetë Baloteli nuk e ka fshehur kënaqësinë që më në fund do të ketë mundësinë të luajë sërish në fushë dhe ka falënderuar publikisht presidentin Berluskoni e administratorin Galiani për shansin që i dhanë. “Falënderoj presidentin Berluskoni dhe Adriano Galianin për këtë mundësi që më dhanë. Do të bëj gjithçka në fushën e lojës, për të ngjitur Monzën menjëherë në Serinë A”, tha Baloteli për mediat italiane. Sulmuesi është rritur te moshat e Lumezanes, ndërsa në verën e 2007-ës u transferua te Interi ku luajti për 3 sezone dhe dëshmoi se është një nga të rinjtë më premtues, por karriera e tij nuk vazhdoi aspak mirë. Ndër vite Baloteli ka veshur fanellat e skuadrave si Mançester Siti, Liverpul, Milan dy herë, Nice, Marsejë e Breshia, por më shumë ka tërhequr vëmendjen për bëmat në jetë, sesa performancën në fushën e lojës. Sidoqoftë, nëse gjërat shkojnë mirë me Monzën, Baloteli mund të lërë përfundimisht problemet e tij me sjelljen dhe t’i kushtohet ekipit të ri për të dhënë nga vetja më të mirën, që në fakt kualitetit të tij si futbollist nuk i mungon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here