Google search engine
Home Aktualitet Shantazhi me profile false, Njësia C: Ruhuni, ja si funksionon!

Shantazhi me profile false, Njësia C: Ruhuni, ja si funksionon!

0
220

Ju vjedhin fotot për mes profileve false dhe pastaj ju bëjnë shantazh. Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, tregon se si funksinon skema e krimit online që po përhapet kohët e fundit.

Profile false

Sipas raportit të policisë “Shantazhet në rrjet nuk janë situata të reja me të cilat përballen qytetarët. Kohët e fundit është vënë re një shtim i rasteve të qytetarëve që janë prekur nga këto vepra penale duke krijuar shqetësim si për ata që janë të prekur drejtpërdrejt  ashtu dhe për familjet e tyre.

Përdoruesit anonimë, të cilët nga rastet e deritanishme rezultojnë shtetas të huaj, krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra qytetarësh shqiptarë. Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi pas miqësie duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale në mënyrë që të bëhen të besueshëm dhe po në të njëjtën kohë targetojnë viktimat e tyre.

Pasi krijohet besimi tek miqtë që kanë krijuar se profili i hapur i përket rrethit të tyre të njohjeve fillojnë të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private. Komunikimi ndërpritet kur autorët mësojnë të dhëna personale dhe të dhëna të cilat do të krijonin shqetësime për të prekurit nga këto miqësi të rreme”, shpjegon Njësia C.

Ja si të ruhemi

Aktualisht, sipas evidentimeve që Njësia “C” disponon, personat e prekur janë të moshave të ndryshme duke mos u fokusuar në grup mosha të veçanta.

Policia i bën thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes për sa i përket komunikimit në rrjet dhe për këtë të zbatojnë me korrektësi disa masa sigurie gjatë komunikimit, të cilat janë:

– Të mos japin të dhëna personale apo të dhëna sensitive që u përkasin atyre;

-Të mos komunikojnë me profile që janë në rrethin e tyre të njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata;

-Të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë të personave që përfaqësojnë;

-Të kenë parasysh që autorët mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për të joshur apo për të marrë të dhënat që kërkojnë, me qëllim përdorimin e tyre në një kohë të mëvonshme.

“Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit po ndjek çdo rast të evidentuar dhe njëkohësisht bën thirrje për çdo shtetas nëse ndjehet i prekur nga një situatë e tillë, të njoftojë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit” vijon njoftimi.

Struktura e Njësisë për Hetimin Kibernetik mund të kontaktohet drejtpërdrejt në adresën e postës elektronike Ç@asp.gov.al.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here