Lojtarët e përfaqësueses e realizuan objektivin e tyre në Ligën e Kombeve, pasi Kombëtarja zuri vendin e parë në grupin e katërt të Divizionit C të këtij aktiviteti, duke përmbushur kështu pritshmëritë dhe duke siguruar kalimin automatik në Ligën B. Por gjatë grumbullimit të nëntorit, shumë lojtarë të përfaqësueses kuqezi u infektuan me koronavirusi, duke mbetur të izoluar për dy javë pranë klubeve të tyre, ose në Shqipëri. Hysaj, Kumbulla e disa të tjerë dolën pozitiv dhe u karantinuan, madje duke e kaluar këtë shqetësim, kurse dje një lajm jo pozitiv erdhi për një nga shtyllat kryesore të skuadrës, gardiani i përfaqësueses, Etrit Berisha. Mësojmë se portieri kosovar, njëherësh kapiteni i kombëtares kuqezi, nuk po e kalon edhe aq lehtë koronavirusin si shumica e futbollistëve, pasi së fundmi ai është shtruar në spital. Nuk dihet gjendja e saktë e gardianit të kombëtares sonë, por shtrimi në spital është një shenjë jo e mirë për mënyrën sesi po e përballon ai infektimin. Lajmin e shtrimit e bën të ditur SPAL që thekson se Berisha do të kryejë disa testime klinike. “SPAL njofton se pas infektimit me Covid-19 të zbuluar më datë 27 nëntor, në orët e fundit portieri bardheblu Etrit Berisha u shtrua në spital në departamentin e specializuar Covid-19 të spitalit Cona për të kryer analiza të hollësishme klinike”, shkruhet ë deklaratën e SPAL. Urojmë që gardiani i kombëtares kuqezi të mos ketë asgjë serioze dhe të jetë sa më shpejt në dispozicion të skuadrës së tij Spal duke e ndihmuar me paraqitje të mira në fushën e lojës.
Rrahmani e kalon koronavirusin, bashkohet me Napolin
Një ditë pasi Elseid Hysaj rezultoi negativ ndaj COVID-19, lajmi i mirë vjen edhe nga Amir Rrahmani, i cili gjithashtu ka kaluar telashet me infeksionin e rrezikshëm. Kapiteni i përfaqësues së Kosovës ka lënë pas situatën që e mbajti këtë kohë jashtë fushave të lojës dhe do të jetë përsëri në dispozicion të Gatuzos për ndeshjet e radhës. Rrahmani rezultoi pozitiv menjëherë pas ndeshjeve të përfaqësueses më Kosovën, kur klubi i Napolit konstatoi në analizat e tij se ashtu si Hysaj, edhe ai ishte infektuar gjatë qëndrimit me “Dardanët”. Ndryshe nga Hysaj i cili qëndroi në karantinë në Shqipëri, ai u izolua në shtëpinë e tij në Napoli dhe ka pritur që tamponët ta nxjerrin negativ. Kjo gjë ka ndodhur në tamponin e fundit dhe sot klubi bëri të ditur se Rrahmani kishte kaluar edhe vizitat mjekësore që i mundësonin të kthehej në fushën e lojës pasi COVID-19 nuk kishte lënë pasoja në organizmin e tij. Kështu, që nga dita e nesërme, lojtari ka lejen për t’u kthyer në stërvitje me Napolin dhe për të qenë i gatshëm për takimet e radhës të kësaj skuadre.
Bekim Balaj gjen nivelin e dëshiruar pas 9 muajsh
Bekim Balaj i ka dhënë fund një makthi që zgjaste prej thuajse 9 muajsh. Sulmuesi i përfaqësueses nuk po arrinte të shënonte me Shturm Grac dhe për herë të fundit kishte tundur rrjetën me të në kampionat në fillimin e muajit mars. “Ky gol ishte një çlirim, e gjithë trysnia iku dhe ndjej një lehtësim të madh. Me të vërtetë më mungonte ndjesia pas golit, Gjëja më e mirë për golin tim ishte që na siguroi tre pikët”, tha futbollisti për golin që i dha fitoren Shturm Grac ndaj Tirolit. Më pas flet për momentet e vështira dhe këmbënguljen për t’ia dalë mbanë. Kalova një periudhë të vështirë, por nuk u dorëzova kurrë”, tha lojtari për këtë periudhë të gjatë ku nuk kishte shënuar dhe ku ishin vënë në dyshim aftësitë e tij. Tashmë kanë rinisur diskutimet nëse Balaj do të largohet në janar, apo në verë kur i përfundon kontrata, por sulmuesi nuk dorëzohet. “Unë do të përmbush kontratën time dhe me siguri nuk do të largohem në merkaton e dimrit. Ne kemi një skuadër të fortë dhe po bëjmë mirë në kampionat. Unë dua të fitoj diçka me Shturm Grac”, ishte deklarata e tij. Kjo deklaratë tregon ambicien e madhe që ka sulmuesi shtatlartë i Kombëtares, shkodrani Balaj.







































