Gjykata e Posaçme ka ndryshuar dje masën e sigurisë për gjyqtaren, Mimoza Margjeka, e cila akuzohet për korrupsion. Konkretisht, Margjeka sipas vendimit të dhënë ditën e djeshme nga ana e Gjykatës së Posaçme , është lënë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje. Arrestimi i saj është bërë në 10 shtator të këtij viti për marrjen e 6 mijë eurove për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Orion Bali, nga “Arrest me burg” në “Garanci pasurore”. Përveç saj, në skemën e korrupsionit bashkëpunëtorë ishin edhe bashkëshorti i saj, sekserë dhe një i arrestuar për të cilin do të zbutej masa e sigurisë. Në 1 tetor gjykata la në fuqi vendimin “Arrest shtëpie” për Margjekën , ndërsa ajo mësohet të jetë shprehur se arrestimi i saj erdhi pasi i refuzoi mandatin ish-kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit të 2019. “Më lër more të flas. Në kohë të Enverit i kanë vrarë mor. Më lër të flas se do të përplas. Nuk i dhashë mandatit bashkisë së Durrësit, është vend me mafie. S’e meritonin mandatin. Le ta varrosin familjen time. Kapet tjetri me 8 tonë drogë në Drejtorinë e Policisë dhe si ndodh asgjë, kapet tjetri me 8 mln euro dhe si ndodh asgjë. I la shteti me detyrim paraqitjeje”, është shprehur e revoltuar në fjalën e saj gjyqtarja. Ndër të tjera në seancën gjyqësore në datë 1 tetor, gjyqtarja gjithashtu mësohet të jetë shprehur se nuk e mbante mend fare çështjen për të cilën akuzohej dhe se personin për të cilin thuhej se përfitonte 6 mijë euro për ta liruar, e kishte lënë të lirë përmes garancisë pasurore. Ajo foli dhe për pronarin e një hoteli në Korçë, Klaudio Zhilla, me të cilin dyshohet se burri i saj ka bërë pazaret, për të cilin thotë se ai s’do guxonte kurrë që t’i kërkonte asaj një ndryshim vendimi. “Çështjen që me akuzoni as nuk e dija që ekzistonte. S’isha unë relatori i çështjes. Udhëzimi më lejon caktimin e masës së sigurisë, garanci pasurore në rast se e shoh të arsyeshme, nuk është një praktikë që e kam ndjekur unë, është aplikuar dhjetëra herë të tjera”, mësohet të jetë shprehur ajo.
Skema e korrupsionit
Më datë 10 shtator është zbardhur vendimi i Shkallës së Parë të SPAK, në lidhje me gjyqtaren Mimoza Margjeka, e cila me disa persona të tjerë dyshohet të jetë përfshirë në një skemë korrupsioni, për përfitim monetar. Në këtë vendim thuhet se ka një skemë korrupsioni, ku janë përfshirë disa persona. Ndërkohë referuar hetimeve, për zbulimin e skemës, mësohet të jetë përgjuar një telefonatë mes vëllait të të paraburgosurit dhe nënës së tij Afërdita. Sipas hetimeve, nëpërmjet përgjimit të telefonatës, nëna mësohet të ketë thënë se nuk mund të mbahej në burg për trafik qeniesh njerëzore. Ndërsa vëllai i të paraburgosurit ka hyrë në skemë, duke dashur të lirojë të vëllanë. Sipas skemës, me qëllim ndryshimin e masës së sigurisë për të paraburgosurin, tek gjyqtarët e Apelit në Korçë do të duheshin të paguhen 6 mijë euro. Referuar hetimeve, në një moment, e ëma Afërdita Bali diskuton me djalin se nuk di nëse kanë 6 mijë euro. Për këtë arsye, në lojë hyn edhe avokati Demiri që kontakton me një biznesmen. Ndërsa, ky i fundit referuar hetimeve, thotë se nuk njeh gjyqtarët, por djali i tij Klaudio Zhilla, njeh gjyqtarë. Ndërkohë, SPAK thotë se Arben Cara merr paratë në një moment dhe më pas e takon bashkëshortja Mimoza Margjeka. Bëhet fjalë për momentin kur do të merreshin paratë. Sipas burimeve, i vëllai i të paraburgosurit Meriton Bali ndodhet jashtë gjykatës, ndërsa personat që duheshin të ishin në gjyq paraqiten. Në vijim të skemës së organizuar, Gjykata e Korçës vendos të ndryshojnë masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Garanci pasurore”. Pas vendimit, referuar hetimeve, Skënder Demiraj telefonon vëllanë e Orion Balit dhe i thotë se “gjithçka u krye”.