Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy të rinj pasi në një bar-bilardo u gjet një sasi lënde narkotike kokainë dhe një valixhe metalike me fisha ku dyshohej se luhej poker.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. M., 26 vjeç dhe M. Gj., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 2, bazuar në informacionet e marra se në një bar-bilardo kryhej aktiviteti i kundërligjshëm kriminal në fushën e shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimi i lojërave të palejuara, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti. Si rezultat, gjatë kontrollit të bar-bilardos në pronësi të shtetasit E. M. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 37 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një sasi lënde e dyshuar kanabis, një valixhe metalike me fisha (çipsa), 2 aparate celular dhe disa qese plastike që shërbenin për ambalazhimin e lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi F. C., 20 vjeç, pasi u kap me një sasi të vogël lënde narkotike kanabis, të cilën e kishte blerë tek shtetasi M. Gj., i cili ishte i pranishëm në bar-bilardo”, thotë policia e Tiranës.