Ndryshime në ILDKP/ Kuvendi nis procedurat për zëvendësimin e Shkëlqim Ganajt, Kryeinspektori mbyll mandatin

0
271

Pas Kontrollit të Lartë të Shtetit, një tjetër institucion i rëndësishëm do të ndryshojë kryetar. Komisioni i Ligjeve do të hapë sot garën për kreun e ri të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kreu aktual, zoti Shkëlqim Ganaj e mbyll mandatin në shkurt të vitit që vjen dhe për këtë arsye kanë nisur procedurat për zëvendësimin e tij. Sipas ligjit, Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit për një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Po ashtu ligji detyron Kuvendin që jo më vonë se tre muaj, përpara përfundimit të mandatit të publikojë shpalljen për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm. Në ligj janë përcaktuar dhe kriteret për kandidatët të cilëve Kuvendi do u lërë një afat aplikimi. Më pas lista do të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve, i cili do të shohë se kush i plotëson kushtet. Më pas komisioni përzgjedh për t’ju paraqitur për votim Kuvendit, tre kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë. Sa i takon Ganajt, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në një vend të barazvlefshëm me vendin e mëparshëm

Kushtet për kandidatët

Inspektor i Përgjithshëm mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte ligjore: Të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik ose ekonomik në profilin financë, Diplomë e Nivelit të Dytë; Të ketë vjetërsi në profesion, si jurist ose ekonomist financier, jo më pak se 15 vjet; Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; Të mos jetë anëtar i partive politike, deputet, ministër, zëvendës ministër, pjesëtar në strukturat e Policisë së Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Sipas ligjit, kandidatët që përmbushin kushtet ligjore të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, zgjidhen Inspektor i Përgjithshëm në bazë të këtyre kritereve objektive: Vjetërsisë në profesion; Përvojës së veçantë profesionale në fushën e të drejtës penale/administrative ose veprimtarisë audituese;

Ecurinë gjatë kryerjes së arsimit të lartë; Të gëzojë integritet të lartë moral, ku përfshihet ndër të tjera, transparenca e plotë dhe e dokumentuar e të gjitha të ardhurave dhe aseteve dhe pagimi i të gjitha detyrimeve tatimore si dhe informacioneve të tjera zyrtare të marra nga institucione të tjera publike përfshi dhe informacionet konfidenciale. Funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me: çdo funksion tjetër publik; çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies; anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre.

Kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm

Sa u takon kompetencave, Inspektori i Përgjithshëm drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të pasurive të deklaruara dhe konfliktit të interesave nga subjektet e parashikuara nga ky ligj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here