Bashkimi Europian ka forcuar radhët e operacionit të ONM për të ecur sa më shpejt në procesin e vetingut. Sipas ligjit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vitin 2020 duhet të mbyllë fazën e parë të vetingut dhe padyshim rol vendimtar ka ONM. Për këtë arsye Bashkimi Europian ka rritur fondet për vëzhguesit në mënyrë që të mos ketë asnjë problem me vetingun. Kjo është bërë e ditur nga ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, në një intervistë për “Deutsche Welle”. Ambasadori u shpreh në lidhje me ONM mbi shumën që do të jepet nga BE, ndërsa theksoi se nga institucionet e vetingut është bërë përparim. Soreca theksoi se janë rreth 603 gjyqtarë e prokurorë janë në proces rivlerësimi, ndërsa vijoi më tej se ashtu si ONM edhe reforma në drejtësi duhet të forcohen edhe më shumë. “Në lidhje me ONM-në, 8.7 milionë euro janë për fazën e dytë të ONM-së, dy vitet e ardhshme që ONM-s i duhet të bëjë. Është shumë e rëndësishme që ONM-ja të vazhdojë të punojë, institucionet e vetingut po bëjnë një përparim të qëndrueshëm. Siç e dini 800 gjykatës duhet të vlerësohen, 603 çështje janë hapur dhe rreth 300 janë mbyllur. A mjafton kjo? Sigurisht që jo. ONM duhet të përforcohet, ashtu siç duhet të përforcohet e gjithë reforma në drejtësi. Unë e quaj këtë nevojë për një test efikasiteti, duhet të sigurohemi që tani që të gjitha institucionet do të ngrihen, pasi të jetë krijuar Gjykata Kushtetuese, ne duhet të shohim burimet njerëzore dhe financiare”, theksoi ai.
Paketat e ndihmave nga BE
Ambasadori Luigi Soreca foli edhe mbi paketën e miratuar nga Bashkimi Europian për reformën në drejtësi, teksa u shpreh se vlera e dhënë për Shqipërinë është donacion dhe jepet në një moment të vështirë në të cilin ndodhet Shqipëria, të cilat do të shkojnë për rimëkëmbjen nga tërmeti, pandeminë dhe për integrimin europian. Ai u shpreh ndër të tjera se Shqipëria duhet të ndihmohet sikur të ishte një nga vendet anëtare të BE. “Më lejoni të them një fjalë për paketën e miratuar javën e kaluar, siç e përmendët. 103.3 milionë euro për vitin e ardhshëm, 2021. Është shumë e rëndësishme që opinioni publik të kuptojë solidaritetin që Bashkimi Europian po i jep Shqipërisë në një moment krize. Këto janë donacione, këto nuk janë hua. Prandaj kjo do të thotë që janë grante që do të përdoren gjysma për rimëkëmbjen ekonomike pas tërmetit dhe Covid dhe gjysma tjetër për ato që ne i konsiderojmë përparësi të integrimit europian. Ta ndihmojmë ndërkaq Shqipërinë të veprojë sikur të ishte një shtet anëtar, duke ndihmuar administratën publike për të miratuar dhe për të marrë pjesë në programe që normalisht janë të kufizuara vetëm për shtetet anëtare. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u thënë”, u shpreh Soreca.
Hapja e negociatave
I pyetur lidhur me Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që do të mbahet në dhjetor për hapjen e negociatave, ndërkohë që Shqipëria ende nuk ka krijuar Gjykatën Kushtetuese që është një kusht kryesor, ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, u shpreh se puna duhet të vazhdojë në mënyrë që të përmbushen edhe ato kushte që ende nuk janë plotësuar. Ndër të tjera ai u shpreh edhe mbi thirrjen që i ka bërë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që duhet të përshpejtojë punën mbi vlerësimin e kandidatëve. “Për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë, siç e dini që nga marsi i këtij viti, janë identifikuar disa kushte. Ka disa prej tyre që ende duhet të plotësohen, dhe kjo është e qartë, kjo është arsyeja pse unë them se mesazhi është që puna duhet të vazhdojë. Javët e fundit kam bërë disa herë thirrje që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të përshpejtojë punën në lidhje me vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve në tri pozicionet e hapura”, u shpreh ai.








































