Google search engine
Home Politike Drejtesi Adriatik Llalla merret zyrtarisht i pandehur/ GJKKO e shpëton nga sekuestrimi i...

Adriatik Llalla merret zyrtarisht i pandehur/ GJKKO e shpëton nga sekuestrimi i pasurive, i kthen mbrapsht pronat

0
319

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar dosjen e  SPAK, duke marrë zyrtarisht të pandehur ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Pak ditë më parë u mbajt seanca paraprake për të vendosur nëse do të kalonte për gjykim çështja ndaj Llallës. Dje trupa gjykuese bëri të ditur vendimin duke pranuar kërkesën e akuzës dhe duke nisur në këtë mënyrë procesin gjyqësor ndaj Adriatik Llallës, për akuzën e fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë, të kryer disa herë. Prokuroria fillimisht ngriti disa akuza ndaj ish-Kryeprokurorit: Fshehje pasurie, shpërdorim detyre, mosdeklarim të parave në kufi dhe pastrim parash. Por pasi dosja u transferua nga Krimet e Rënda te Prokuroria e Posaçme, kjo e fundit ia rrëzoi 3 akuzat e fundit dhe tashmë ai ka shkuar për gjykim vetëm për fshehje pasurie, vepër penale që dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.  Por pavarësisht se tashmë do nisë gjykimi ndaj tij, Gjykata e Posaçme i ka bërë një tjetër nder Llallës, pasi i ka hequr sekuestron e pasurive. Kur nisën hetimet atij iu vunë në sekuestro preventive një apartament dhe 4 toka, por dje gjykata e ka hequr sekuestron duke ia kthyer pronat ish-kryeprokurorit. Mbetet të shihet si do të vijojë gjyqi ndaj tij, por nuk është çudi që ai të përfundojë me një dënim me gjobë ose me shërbim prove si Saimir Tahiri. Të dy pritej të ishin kumbarët e negociatave dhe tashmë të dy janë në proces gjykimi. SHBA dhe BE e kanë thënë gjithmonë se presin jo vetëm hetime, por dhe dënime shembullore ndaj zyrtarëve të lartë.

Hetimet ndaj ish-kryeprokurorit

Iniciatorja e hetimeve për Llallën ishte pasardhësja e tij Arta Marku. Pasi SHBA e shpalli atë “non grata” dhe në media nisën të qarkullojnë foto të jetës së luksit të fëmijëve të ish-kryeprokurorit, më datë 28.02.2018 nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është dërguar shkresa nr.130 në Prokurorinë e Durrësit. Përmes kësaj shkrese janë depozituar disa shkrime në portale, foto dhe vendimi i SHBA për ta shpallur Llallën “non grata”, si indicie për të nisur hetimet. Pra ishte Arta Marku ajo që hapi rrugën e hetimeve ndaj Llallës, fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, e më pas nga Krimet e Rënda. Pas shkrirjes së kësaj të fundit dosja kaloi te SPAK.

Rivlerësimi i pronave

Ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruar se i ka shitur shumë shtrenjtë. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja. E njëjta gjë ka ndodhur me një tokë në Qeha Shytaj në Tiranë. Ai e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja. Por në maj të 2017 është rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja, ose 360 milionë lekë të vjetra. Fillimisht kishte dyshime se kjo ishte një skemë e pastër për pastrimin e parave, por SPAK e ndryshoi akuzën duke e lënë vetëm fshehje pasurie.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here