Lideri i BDI në Maqedoninë e Veriut dhe ish komandati i UÇK Ali Ahmeti foli edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe ish kryeministrin Fatos Nano gjatë luftës në Kosovë dhe tentativave për të hapur një front të ri, paralelisht, edhe në Maqedoni.
Sipas Ahmetit, takimi ka qenë i qetë, shumë i gjatë dhe sipas tij, u vendos që mos hapej një front në Maqedoni pa mbaruar më parë lufta në Kosovë.
Ali Ahmeti: Sa i përket hapjes së frontit, kemi patur një takim mes luftës së Kosovës, do të thotë ka qenë viti 98. Atëherë kemi patur një takim me kryeministrin e Shqipërisë Fatos Nano, me një delegacion nga Kosova. Zoti Nano, si kryeministër, kërkoi që një front të mos hapej në Maqedoni sepse nuk është në interes të zhvillimeve dhe i dobishëm për shqiptarët një front i hapur në Maqedoni.
Ka patur një debat nga ora 8 e darkës deri në 4 të mëngjesit. Mua më interesonte trajtimi që do bëhej nga kryeministri i Shqipërisë. Ai bëri një analizë goxha të kompletuar, goxha të fortë dhe në fund e përfunduam se në Maqedoni nuk do të ketë një front të ri derisa vijon lufta në Kosovë dhe nuk ka një epilog kjo luftë”.