Provokimet e politikanëve serbë lidhur me Kosovën vijojnë të jenë aktuale dhe mbi të gjitha të shpeshta. Ajo që krijon një situatë të tensionuar mes dy shteteve është fakti që këto deklarata vijën nga zyrtarë të lartë në qeverinë serbe. Fillimisht ishte kryeministri Aleksandar Vuçiç ai që paralajmëroi se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke treguar llojin e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. “Për mua, është e rëndësishme t’ju them se konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se si një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzohet në një katastrofë të vërtetë. Një arsye është që ne nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë. Kompromisi nuk do të thotë që ne do ta arrijmë atë, duhen dy anë”, ka deklaruar ai. Ndërkohë ditën e djeshme kanë ardhur provokime nga ministrat serbe duke ofenduar shqiptarët e Kosovës. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke folur pas zgjedhjes si ministër në qeverinë e re të udhëhequr nga partia e Aleksandar Vuçiç, mes tjerash ka thënë se ka ardhur në krye të kësaj ministrie për të vazhduar luftën kundër krimit dhe për të forcuar veçanërisht luftën kundër krimit të organizuar. Por, në mediat në gjuhën serbe Vulin edhe kësaj radhe, nuk ka harruar të flasë për shqiptarët duke ofenduar rëndë, madje në mënyrë pezhorative duke përdorur termin “sqiptari”. Duke folur për rrezikimin e oficerëve të policisë serbe në Zonën e Sigurisë Tokësore me Kosovën, Vulin ka thënë se bandat e shqiptarëve të Kosovës vazhdimisht po organizojnë vjedhjen e pyjeve në territorin e Serbisë. “Është e vështirë. Atje kemi banda të organizuara shqiptare që vjedhin pyjet, që kryejnë shkelje të ndryshme, bëjnë kontrabandë, janë të pajisur mirë, gjithmonë të armatosur dhe gjithmonë qëllojnë në drejtim të policisë tonë”, ka thënë ndër tjerash ministri serb.
Reagime në Prishtinë
Lidhur me deklaratë e Vulin ka reaguar edhe deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, i cili është shprehur që nuk mund të ofendohemni nga dikush që nuk ka dinjitet. “Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vulin vazhdon ta përdor me krenari termin pezhorativ ‘šiptari’ për shqiptarët. Problemi nuk është se po ndjehem i ofenduar si shtetas i përkatësisë kombëtare shqiptare. Sepse nuk mund të ndjehesh i ofenduar nga dikush që nuk ka dinjitet. Problemi është se z.Vulin tregon se nuk e respekton vetë shtetin e Serbisë dhe ligjet e saj. I kujtojmë z. Vulin se të gjitha dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë emërtojnë shqiptarët si Albanci. Paramendoni, Ministri i Brendshëm që nuk i përfill ligjet e shtetit, terminologjinë zyrtare. Prandaj, z.Vulin është sot një nga simbolikat më të mira se ku është katandisur Serbia së sotme”, është shprehur Kamberi. Deputeti shqiptar ka vijuar më tej me akuzat e tij duke e quajtur Vulin të shtirur edhe në qëndrimet e tij të Serbisë së madhe. “Pa e harruar faktin se duke e përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, z.Vulin dëshmon se nuk shqetësohet për reagimin që prodhon gjuha e tij, në përditshmërinë e qytetarëve serbë që jetojnë në mjediset e përziera me shqiptarët. Por natyrisht se z.Vulin nuk shqetësohet për fatin e Sllavicës dhe Draganit që bashkëjetojnë me shqiptarët. Ata dëshiron vetëm t’i shfrytëzojë për pushtetin e tij, duke e aktruar patriotin serbomadh nga restorantet luksoze të Beogradit”, ka shkruar ai në Facebook.