Piktori Arben Golemi me “I love my city” në Berat, ekspozita për promovimin e qytetit

    0
    726

    “I love my city” titullohet ekspozita e piktorit të njohur Arben Golemi, që u çel këto ditë në qytetin e Beratit. Piktori i kushton një ekspozitë peisazheve dhe vlerave historike të Beratit, në galerinë e arteve “Edward Lear”. Janë 46 tablo me piktura në këtë ekspozitë retrospektive të piktorit të njohur, që me artin e tij është prezantuar edhe në galeri të ndryshme në botë. Ai shprehet se Berati është vendi ideal për të frymëzuar një artist, dhe ekspozita “I love my city” ka qëllim edhe promovimin e qytetit. Piktori Arben Golemi thotë se përgjithësisht tablotë e ekspozitës “I love my city” janë të qytetit të Beratit dhe atyre peisazheve identifikuese, si lagja e Mangalemit, Goricës apo Kalasë. “Në Berat këtë herë vij me një ekspozitë retrospektive. Unë përzgjodha ato peizazhe të Beratit, të cilat ndihmojnë edhe për të promovuar qytetin. Kam prurë në ekspozitë pjesë esenciale të qytetit, që janë Gorica, Mangalemi apo lagja Kala, gjithë peisazhi plus dhe kishat bizantine, përfshirë dhe kishën e Perëndisë. Kjo ekspozitë është mbështetur mbi këto vlera. Ne duhet të punojmë për Beratin, të promovojmë turizmin që ai të shërbejë për mirëqenien ekonomike”, tregon piktori i njohur. Duke folur për këtë ekspozitë retrospektive që është hapur në Berat, piktori dhe arkitekti Arben Golemi thotë se nuk mungojnë dhe disa elementë të tjerë me tablotë në pikturë, por kjo për të treguar që rëndësi kanë vlerat e qytetit. “Unë aty kam futur dhe 2-3 elementë të tjerë, si një peisazh të madh të qytetit të Nju Jorkut apo dhe një peisazh të madh të Luvrit. Është një lloj krahasimi, madje unë kam pasur një pikturë Berat-Nju Jork. Pra kjo është në konceptin, që sa do të jetë i vogël qyteti vlerat mund ti ketë aq të mëdha. Nju Jorku nuk ka kisha post bizantine as bizantine, as pikturë murale të asaj periudhe. Ndaj vlerat janë esenciale. Nuk ka rëndësi se sa i madh është qyteti, por rëndësi çfarë vlerash ka ky qytet”, thotë piktori dhe arkitekti Arben Golemi.

    Berati, vendi ideal për të frymëzuar një arkitekt dhe artist

    Për piktorin Arben Golemi, Berati është vendi ideal për të frymëzuar një arkitekt dhe artist. Por në reagimin e tij piktori Golemi thotë mes të tjerave se Berati është një laborator i çmuar dhe i domosdoshëm për atë si artist, dhe një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij në pikturë është e mbështetur në vlerat e këtij qyteti. Golemi thotë se e bukura është, që sa herë shkon në Berat zbulon një gjë të re. “Ka gjëra të reja, që të ndihmojnë në fushën e krijimtarisë në art jo thjesht si turist. Berati është laboratori im dhe unë shkoj gjithmonë për të zbuluar gjëra të reja, qoftë nga arkitektura, historia, kishat, shtëpitë apo qoftë dhe nga peisazhi. Qyteti i Beratit është një laborator, që mua më ndihmon shumë në krijimtarinë time me pikturën”, thotë piktori Golemi. Me ekspozitën retrospektive “I love my city” Golemi ekspozon piktura të realizuara në lagjet e rrugica të Beratit, duke shpalosur historinë dhe kulturën e qytetit. Ai shprehet se që në fëmijërinë e tij qyteti ka shërbyer si një inspirim për krijimtarinë, duke u ngacmuar që nga rrugicat dhe deri tek ambientet nga pikëpamja arkitekturore, çka e bëjnë Beratin unik. Piktori thotë se ka një lidhje organike me arkitekturën e Beratit dhe me arkitekturën në përgjithësi, sepse që në fëmijërinë e tij është edukuar duke parë shtëpitë e Beratit. “Studimet e mia janë në fushën e arkitekturës. Është një lidhje organike midis strukturës arkitektonike dhe strukturës së peisazhit të Beratit. Unë e kam shumë të thjeshtë, që ta konstruktoj një peisazh në Berat dhe jo vetëm në Berat, por përshembull dhe në Nju Jork. Duke qenë arkitekt kam avantazhin e vizatimit struktural. Kam një lidhje organike midis arkitekturës dhe pikturës sime, peisazhit tim. Përgjithësisht pikturoj peisazhe të këtij karakteri, por kjo padyshim nuk më pengon që të bëj peizazhe të natyrës me pemë”, tregon piktori Golemi. Këtë herë në këtë ekspozitë në Berat, ai thotë se janë ekspozuar  46 vepra në formate të mëdha. Por si arkitekt Arben Golemi ka vërejte dhe te Qendra Kulturore e Beratit, ku sipas tij në pozicionin urban në të cilën ndodhet duhet prishur. “Jam i sigurt që ky nuk është thjesht mendimi im, por dhe i të tjerëve. Pavarësisht se galeria vetë ka tre salla dinjitoze, por qendra në përgjithësi duhet prishur, sepse e çliron peisazhin e Mangalemit të Beratit dhe jo vetëm kaq, por i jep mundësi që në të njëjtin vend të rikompozohet një tip amfiteatri për aktivitete, por që mund të bëhen dhe galeri arti, aktivitete të promovimit të turizmit, etj. Në të gjithë planet rregullues të Beratit është hedhur ideja e prishjes, por kërkon fonde që të bëhet një amfiteatër modern aty, i cili në një farë mënyre të rivlerësojë gjithë peisazhin e Mangalemit mbrapa. Galeria në vetvete është shumë e mirë, por që objekti në tërësi duhet shembur, siç duhet shembur në Berat dhe ajo ura e tmerrshme e varur e fillimit të para kapitalizmit. Se si është ndërtuar dhe kush ka guxuar, një projekt ordiner”, thotë Golemi. 

     Një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern shqiptar

    Arben Golemi është cilësuar si një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern shqiptar. Me krijimtarinë e tij Golemi ndikoi në rrethet artistike të vendlindjes, duke krijuar imazhin e një piktori modern, kërkues të formave dhe shprehjeve të reja artistike. Sipas kritikëve të artit në vendin tonë, piktura e tij theu mentalitetin artistik ekzistues të artit realist mbizotërues, ndërsa Arben Golemi u bë një nga protagonistët kryesorë të asaj që mund të quhet “piktura moderne shqiptare e fundit të shekullit XX”. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij u prezantua në shumë veprimtari ndërkombëtare, ekspozita personale e kolektive. Ky vit ka qenë një kohë e vështirë prej pandemisë, por duket se për artistët ka shërbyer për të qenë dhe më shumë në punë me pikturat e tyre. Piktori i njohur Arben Golemi thotë se gjatë pandemisë ka realizuar shumë punë në pikturë. “Kam qenë brenda në studio, duke punuar me veprat e reja në pikturë. Në periudhën gjatë të pandemisë që u mbyllëm brenda, në shtëpinë time unë kam bërë akuarele dhe vizatime. Mund të kem punuar rreth 300 punë, sepse unë i bëj pikturat dhe në dimensione të mëdha. I kam veçmas që janë punë gati sa për dy ekspozita, sepse je tërë ditën brenda kur mbyllesh. Je në ambiente shtëpie që është një rast i shkëlqyer për të bërë pastele, vizatime, akuarele. Pandemia më ka ndihmuara në kuptimin, që duke qenë brenda kam punuar”, thotë piktori Golemi. Por pas Beratit, piktorit i njohur Arben Golemi ka në plane të tij një tjetër ekspozitë, që thotë se do të hapet në galerinë e artit FAB në Tiranë. “Ideja e ekspozitës sime në Berat kishte më shumë lidhje me turizmin. Nuk ishte ideja se çfarë piktori jam unë, por ideja e ekspozitës ishte që të promovojmë qytetin e Beratit. Ne vetë kemi marr nga qytetet tona, por dhe ne duhet të japim ndihmën tonë sado modeste për këtë punë. Pas ekspozitës në qytetin e Beratit do të jem gjatë muajit dhjetor me një tjerë ekspozitë në galerinë e artit FAB, në Tiranë”, thotë piktori Arben Golemi. Ekspozita retrospektive “I love my city” u çel më datë 6 në Berat dhe do të mbyllet më 21 nëntor.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here