Mesfushori kuqezi, Klaus Gjasula, vendosi t’i bashkohet kombëtares për ndeshjet e muajit nëntor. Mesfushori, mbase nuk ia del për të luajtur në sfidën me Kosovën, por do të jetë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Gjasula ka rënë dakord me klubin e Hamburg që në kthim të qëndrojë për dy javë në karantinë dhe të humbasë 1 apo 2 sfida me gjermanët. Në prononcimin për “Supersport” në emisionin “Zona Gol”, Gjasula shprehet se e ndjen veten si një nga liderët e kombëtares. Në fakt, në fillim ai komentoi praninë e tij tek Hamburgu dhe ecuria e skuadrës së tij gjermane në kampionat (Bundesligë). “E kemi nisur shumë mirë kampionatin dhe jemi në vendin e parë, pra pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Bundesligë. Skuadra është e kompletuar dhe jemi në rrugën e duhur. Unë e nisa titullar në dy ndeshjet e para, por kohët e fundit nuk kam luajtur nga minuta e parë. Ndikoi lodhja, pasi këtë verë thuajse nuk bëra fare pushime dhe këtu nëse gabon një herë, humb vendin në formacion. Megjithatë unë po punoj shumë në stërvitje dhe shpresoj që të rikthehem sërish në formacion”, theksoi Gjasula. Më pas ai bën krahasimin mes skuadrës së tanishme dhe ish-skuadrës ku luante sezonin e shkuar, Padërboni, ekip që ka rënë nga kategoria dhe luan në Bundesliga 2. “Paderborn ishte një klub i vogël dhe pa shumë pritshmëri, ndaj mund të punohej shumë qetë, ndërsa te Hamburgu presioni është shumë i madh. Sezonin e kaluar këta ishin pranë ngritjes në Bundesligë, por mjaftuan dy ndeshje të gabuara që presioni të rritej shumë dhe të bënin një sërë gabimesh. Mediat këtu janë shumë të ndjeshme ndaj skuadrës”, vijoi komentin e tij Gjasula.
“Unë, lider i Kombëtares”
Më pas Klaus Gjasula konfirmoi se do të ishte në Tiranë së shpejti, për të qenë pjesë e ekipit për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë. “Po, do të vij në Tiranë ditën e martë dhe ndoshta nuk do jem gati për miqësoren me Kosovën, por do të jem në dispozicion të trajnerit për sfidat ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë. Këtu ka një rregull, që kur kthehesh nga një vend tjetër, duhet të futesh dy javë në karantinë, por unë kam rënë dakord me drejtuesit e klubit që të vij edhe me këtë kusht, pasi Kombëtarja ka dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe e mora parasysh që do humb një apo dy ndeshje me Hamburgun”, nënvizoi mesfushori kuqezi. Më tej Gjasula del direkt në temë, duke thënë se kërkon rol lideri. Nuk dihet në çfarë kuptimi e pati, por me siguri që këtu është fjala për rol titullari, pasi shiriti i kapitenit ka para tij kandidatura më të forta. “Unë mendoj se jam një nga liderët e skuadrës kombëtare, për vetë moshën që kam dhe eksperiencën. Bashkë me disa të tjerë aty, jemi liderë dhe na takon neve që të udhëheqim skuadrën në fushë. Ndonjëherë kemi bërë edhe gabime, por duhet të mbajmë kokën lart dhe t’u japim zemër edhe më të rinjve”, theksoi më pas Gjasula. Duke komentuar ecurinë e skuadrës në ndeshjet e shkuara, ai kujton se ekipi luan mirë dhe tani duhet të finalizojë më shumë për të arritur tek fitoret. “Po, i kam parë të dyja dhe kam vënë re që kemi dominuar ndaj kundërshtarëve. Në ato ndeshje kam kuptuar që ne i kemi të gjitha mundësitë të fitojmë ndaj tyre, pasi kemi treguar se jemi më të fortë. Kemi shumë futbollistë të rinj e të talentuar, që luajnë nëpër Europë dhe që shumë shpejt do të jenë një vlerë e shtuar për Kombëtaren. Synimi ynë është të fitojmë dy ndeshjet e radhës, për ta mbyllur Nations League në vendin e parë në grup, por edhe po nuk ia dolëm, nuk është fundi i botës. Mund të them me bindje që vitet e ardhshme kanë për të qenë shumë të mira për Kombëtaren Shqiptare”, përfundoi mesfushori i Kombëtares, Klaus Gjasula. Futbollisti ka mbajtur rol regjisori nën drejtimin e trajnerit Reja dhe dëshiron të rikthehet në këtë pozicion edhe për dy sfidat e fundit në grupin e 4-t të Divizionit C të Ligës së Kombeve, respektivisht ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë.