Ngushtohet laku për gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting. Edhe pse një pjesë e të ngelurve në veting janë larguar nga sistemi prej 4 vitesh, ata vijojnë të gëzojnë pasuritë e tyre. Ndërkohë që shumë të tjetër që kanë dalë nga sistemi, kanë hapur zyra avokatie. Por ditët e fundit janë shtuar zërat se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e ngelur në procesin e vlerësimit kalimtar nuk do t’i gëzojnë pasuritë e tyre. Këtë të premte Këshilli Kombëtar i Dhomës së Avokatisë ka vendosur të pezullojë licencat për këdo të ngelur në veting që është bërë avokat. Por kjo nuk është e vetmja goditje që kanë marrë ish-anëtarët e togave të zeza, pasi duket se ata i presin ditët të vështira.
Të ngelurit në veting nuk do të jenë as pedagogë
Ka qenë kreu i kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, i cili dje gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” zbuloi se pas heqjes së licencës së avokatisë, të ngelurit në veting nuk do të jenë as pedagogë. Një pjesë e tyre japin mësime në universitete, por zoti Vishaj theksoi se ata i kanë dërguar një shkresë Ministrisë së Arsimit ku i kërkojnë që të mos lejojë që ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e ngelur në veting dhe që akuzohen si të korruptuar të jenë pedagogë. “Dua t’ju bëj me dije se i kam bërë një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit që të gjithë ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e ngelur gjatë procesit të vetingut të mos jenë pjesë e stafit pedagogjik duke dhënë mësim në Fakultetin e Drejtësisë. Këtë nuk kanë çfarë t’ju mësojnë studentëve, pasi nuk ka moralë që një gjyqtarët dhe një ish-prokuror që ka ikur nga sistemi duke ngelur në veting për shkak se kanë qenë të korruptuar, të japin mësim. Kjo do të thotë se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting nuk duhet dhe do të japin më mësim në Fakultetet e Drejtësisë qofshin këtë publik dhe jopublik, në Shkollën e Magjistraturës, apo Shkollën e Avokatisë në Shqipëri”, deklaroi ai. Më tej avokat Vishaj theksoi se është e papranueshme që një i korruptuar të japë leksione për studentët. “E kuptoni dhe këtu ngrihet pyetja: Si mund që të shkojë një ish-gjyqtar dhe prokuror që ikën për korrupsion, pedagog në Magjistraturë të mësojë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj? Në Shkollën e Avokatisë të mësojë avokatët e rinj? Në Fakultetin Juridik apo në fakultetet e tjera private apo publike. Kështu që si përfundim ai që ka ikur për korrupsion nuk duhet të japë mësim dhe të mësojë studentët. Nuk do të lejohen më që ata kanë ikur dhe janë shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të japin mësim”, u shpreh ai.
Arrihet akordi me SHBA për të nisur hetimet
Por përveç heqjes së licencës së avokatisë dhe nismës për t’iu hequr të drejtën që të ushtrojnë profesionin e pedagogut, duket se të ngelurit në veting do të japin llogari edhe para drejtësisë sa i takon pasurive të tyre të vënë në mënyrë korruptive. Duke folur gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT” avokat Vishaj theksoi se kanë vënë në dijeni edhe ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që organet e reja të drejtësisë duhet të nisin procedime penale për të ngelurit në veting. Kështu që pas kësaj pritet që të ngrihen padi penale ndaj ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të ngelur në veting, çka do të thotë se ata do të japin llogari para Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. “Ne kemi vënë në dijeni edhe Ambasadën Amerikanë dhe jemi dakordësuar që të nisin procedimet penale ndaj tyre. Ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e korruptuar do të japin llogari para SPAK”, nënvizoi kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj.