“Misioni” një film nga Andi Deliana, me ngjarje që vendosen në Shqipërinë dhe Francën e viteve ‘80

    0
    394

    “Misioni” titullohet projekti kinematografik, me skenar dhe regji nga Andi Deliana. Këto ditë në Shqipëri regjisori i njohur Andi Deliana së bashku me producenten Ana Rebichia janë për të parë vendet e xhirimit të filmit, i cili do të ketë në role aktorë shqiptarë dhe të huaj. Ngjarjet në filmin “Misioni” apo me titull në anglisht “My mother is a Cosmonaut”, vendosen në Shqipërinë dhe Francën e viteve ‘80. Regjisori Andi Deliana thotë se drama e filmit mbështetet me metaforën e një jete të shkuar nën gënjeshtër, ku ëndrrat marrin më shumë rëndësi se sa realiteti. “Kalimi i perdes se padukshme, që ndan jetët e qytetarëve të Europës Lindore me ata të Perëndimit merr një rëndësi të veçantë, i krahasueshëm në veçantinë e vet me atë çka provon një kozmonaut që shkëputet nga toka”, thotë Deliana. Duke folur për filmin e tij ku xhirimet pritet të nisin pranverën e vitit që vjen, ai shprehet se historia e treguar është vendosur gjithashtu në një moment historik, ku ndryshimet e mëdha e përcjella nga politikat e administratës së Ronald Regan dhe asaj të BRSS përfaqësuar nga Gorbaçov do ti japin fund luftës së yjeve dhe garës në hapësirë, që do të pasojë me fundin e luftës së ftohtë dhe rënien e murit të Berlinit drejt një entropie të pashmangshme. “Ngjarjet e mëdha në filtrimin e zhurmuesve të Partisë Punës do të përkthehen ndryshe në imagjinatën e një fëmije, dhe në ekuilibrin e brishtë në jetët e njerëzve të sistemit komunist në Shqipëri. Një dramë personale do të shkruhet në ngjarjet e mëdha historike dhe do të përcillet në formën e një kërkimi, që nuk mbaron”, thotë Deliana. Sipas tij, dukej sikur ndërsa shkruhej skenari i filmit qasja historike reflekton imazhin e përmbysur të një shoqërie në degradim, ndërsa e gjen vendin në debatin e sotëm ku globalizmit i ka ardhur fundi dhe një erë e re po fryn në Europë, të cilës mbase do ti shohim rindarjen… “Nuk e di nëse kjo koherencë do të jetë e vërtetë në vitin që pason, por çdo gjë mund të ndodhë si pasojë e interesave të reja në tregun e madh dhe ndryshimeve të sjella me luftën ndaj virusit të covid -19, një lufte të padukshme, e ndryshme nga ajo e Luftës së Ftohtë të viteve ’80-të, por në esencë me shumë ngjashmëri e të papritura. Uroj që 2020 të mos jetë një vit ndarje me të shkuarën, por një moment reflektimi për të gjetur vetveten”, tregon regjisori Andi Deliana.

    Aktorët në film

    Në rolet kryesore janë aktorët Arben Bajraktaraj, Ndriçim Xhepa, Lia Sanchez Baltodano (Spanjë), Luis Lombardi (USA), Gent Bejko, Ardian Cerga e të tjerë. Regjisori Andi Deliana thotë se falë negocimeve të producentes Ana Rebichia, është konsideruar dhe aktori Michael Madssen që nëse çdo gjë shkon mbarë mund të jetë gjithashtu pjesë e kastit të këtij filmi së bashku me një nga aktorët e njohur të “Casa del Papel”. “Të shohim derisa të hyjmë në xhirime, që tashmë janë shtyrë prej pandemisë kush do jenë të tjerë emra që mund të na bashkohen.  Xhirimet pritej të fillonin këtë dimër, por së bashku me ato të një filmi tjetër të titulluar “Target Number One” janë shtyrë prej pandemisë, që ka pllakosur tregun e punës në USA dhe Europë. Ndaj mendojmë se mund të fillojmë këtë pranverë të 2021. Vendet e xhirimeve do të jenë në Shqipëri (Tiranë, Durrës, Vlorë), Francë dhe Belgjikë. Producentja dhe Production Designer e filmit, Ana Rebhcia ndodhet tashmë në Tiranë bashkë me mua për të parë vendet e xhirimit,  takuar me producentin tonë  Ognen Antov dhe të tjerë për të përshpejtuar përgatitjet”, shprehet më tej Andi Deliana. Në mbledhjen e fundit të “Eurimages” u vendos që të mbështeten financiarisht 29 projekte për film artistik me metrazh të gjatë, ndër të cilët edhe projekti i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë “Misioni-Nëna ime është kozmonaute”, me regji të Andi Delianës, me producent shtëpinë kinematografike “Red Helicopter Film”. Për Delianën si regjisor është vlerësim për projektin dhe një përgjigje inkurajuese për punën që do të vijë, ku dhe kërkesa do të jetë më e madhe. “Do të jetë diçka e re për mua si kineast dhe një mënyrë konceptimi të marrëdhënieve me produksionet e tjera, që tashmë kanë eksperiencë në Europë. Ndihem disi i qetë duke pasur pranë producentë që kanë lidhje të forta në treg, apo që kanë eksperiencë në çdo nivel të punës, producentë si John Grossman dhe Ana Rebichia që operojnë më së shumti në kontinentin amerikan. Por më së shumti jam i sigurt për mbarëvajtjen e punës, duke pasur pranë një prej bashkëpunëtorëve të mi më të vjetër, Ognen Antov producent Maqedonas dhe Khaled Alshaheen producent dhe distributor nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, shprehet Deliana. Ai thotë se falë bashkëpunimeve me të tillë profesionistë, trevjeçarin e fundit kanë mbaruar me sukses filmat “Amok” (që ishte pjesë e Market Seleksion në Festivalin e Kanës në 2017), “Back to Q82” (komedi arabe që ka arkëtuar mirë në Emirate, Kuvajt, Katar dhe Bahrein).  

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here