“I forti” i Krujës, Durim Bami dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatit të ndodhur 5 ditë më parë në Tapizë, ku mbeti i plagosur kushëriri i tij Ervin Kodra.
Mëngjesin e sotëm bëhet me dije se Durim Bami ka shkuar “me këmbët e veta” në Policinë e Krujës për të dhënë deklarimet e tij për ngjarjen.
“Nuk i njoh personat që më kanë qëlluar. U largova dhe u fsheha se kisha frikë nga ndonjë sulm me armë”, ka thënë ai.
Bami ka qenë në makinë me kushëririn e tij, duke udhëtuar në drejtim të Fushë Krujës, kur persona të armatosur u kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar me breshëri.
Në vendngjarje janë konstatuar dy lloje të ndryshme gëzhoja armësh, të cilat ngrenë dyshimet se mes autorëve dhe dy kushërinjve që ranë pre e atentatit është shkëmbyer zjarr. E pikërisht personi që dyshohet, sipas Prokurorisë, se është kundërpërgjigjur me armë atentatorëve, është Durim Bami. Ndaj tij nuk kishte asnjë akuzë, ai kërkohej të merrej në pyetje nga Prokuroria si person që ka dijeni për ngjarjen.










































