Një ditë më parë një 58-vjeçare pas debatit me bashkëshortin e qëlloi këtë të fundit me sqepar në kokë. Ngjarja e ëerndë ndodhi në Kurbin, ku Llesh Deda u dërgua menjëherë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa bashkëshortja e tij, Drane u vetëdorëzua në polici.
Çifti ka 10 fëmijë ndërkohë që pritet sqarimi i plotë i rrethanave ndërsa gruaja ka thënë se ai e dhunoi.
Ndërkaq, ka reaguar bashkëshortja e vëllait të Llesh Dedës, të cilët i kanë shtëpitë afër.Ajo tregoi se rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm kanë dëgjuar zhurmë dhe kur kanë shkuar te shtëpia e çiftit e kanë gjetur burrin të gjakosur.
“Rreth orës 03:00 kemi qenë në gjumë dhe burri dëgjoi zhurmë dhe kemi dalë jashtë e shkuam te shtëpia e kunatit. Aty kemi gjetur vetëm burrin të gjakosur, ndërsa gruaja nuk ishte aty. E kanë marrë dhe e dërguan me urgjencë në spital dhe menjëherë kemi njoftuar Policinë. Fillimisht nuk e dinim çfarë kishte ndodhur, por gjithçka u zbardh, pasi gruaja ka shkuar dhe është dorëzuar në Polici. Kanë 10 fëmijë dhe nuk e di çfarë të them se pse ka ndodhur ngjarja, nuk kam aspak dijeni”, tregoi kunata e 58-vjeçares.
Gjatë ditës së premte banesa e familjes Deda ishte e mbyllur dhe nuk kishte asnjë person brenda, por në derën e shtëpisë ishin prezente njollat e gjakut, si dëshmi e asaj çfarë kishte ndodhur.