Koncerti “Ballkoni i Romancave” këtë mbrëmje vjen me pjesë të përzgjedhura, nga krijimtaria e kompozitorëve të njohur shqiptarë. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se me këtë mbrëmje muzikore do të sjellë para publikut një sërë romancash, të cilat kanë vite që nuk janë interpretuar. Këto krijime janë nxjerrë nga arkiva e Teatrit të Operës dhe Baletit për t’i ardhur publikut, si një buqetë tërësisht shqiptare. “Mbrëmja e të premtes vjen me një program shumë të veçantë në TKOBAP. Kuarteti i Harqeve, pianistët dhe solistët lirikë të TOB sjellin pranë publikut romancat më të bukura nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë. Këto romanca, që nuk janë interpretuar prej vitesh, kësaj here vijnë në një format të veçantë. Një koncert që mbahet në ballkonin e Teatrit të Operës dhe Baletit, të cilin artdashësit mund ta ndjekin nga çdo cep i sheshit “Skënderbej””, shprehet TOB. Institucioni lajmëron se maskat janë të detyrueshme për tu mbajtur gjatë këtij koncerti, që nis në orën 18:00 të premten, ndërsa pjesë e këtij programi muzikor janë artistë të njohur. Në koncertin “Ballkoni i Romancave” artistët do të vijnë me pjesë të shkruara nga autorët Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Pjetër Gaci, Feim Ibrahim, Edri Sina etj. Sopranoja e njohur Eva Golemi thotë se në këtë koncert vjen me dy romanca, që janë shkruar nga kompozitorët Feim Ibrahimi dhe Dritan Lumshi. Në një reagim të saj, sopranoja Eva Golemi thotë se veprat janë shumë të bukura. “Unë jam me dy romanca, njëra e Feim Ibrahimit “E la tua veste e bianca” dhe një e Dritan Lumshit me titull “Për ty një mall”. Të dyja shumë të bukura. E para është me piano dhe violonçel e shoqëruar nga Etrita Ibrahimi dhe Jona Cegrani, dhe e dyta me piano e shoqëruar po nga Etrita Ibrahimi. Një koncert i veçantë dhe veprat janë shumë të bukura nga kompozitorët tanë më të njohur”, thotë sopranoja Eva Golemi, në një reagim të saj.
Programi muzikor me romancat
TOB bën me dije se edhe pak ditë kanë mbetur dhe po i hap dyert një nga një. Koncerti “Ballkoni i Romancave” ka në program autorët Çesk Zadeja me “Humoresque”, kuarteti i harqeve i TOB Gëzim Bulçari (violinë), Hilda Çekani (violinë), Flobens Zyma (violë), Gëzim Hysi (violinçel); Tonin Harapi me “Duart e nënës” mezzosoprano Ivana Hoxha dhe piano Herta Cane; Limos Dizdari me “Hëna mbi plepa” bass Xhieldo Hyseni dhe piano Herta Cane; Endri Sina me “Dy kupa” soprano Renisa Laçka, Dorina Selimaj, piano Ingrid Pulizo, violinë Gerd Cinxo; Vangjo Nova me “Moj e bukura në krua” soprano Shpresa Beka, piano Herta Cane; Zamir Këlliçi me “Dimër” soprano Ramona Tullumani dhe piano Ingrid Pulizo. Programi vijon me autorin Pëllumb Vorpsi me “Pellgu është tharë”; Gazmend Mullahi me “Sonet pranveror”; Tonin Harapi me “Ti je si deti”; Dritan Lumshi me “Për ty një mall”; Pjetër Gaci me “Ekstazë pranverore”; Zef Çoba me “Kjo shtëpi me ballë në erë” dhe Feim Ibrahimi me “E la tua veste e bianca”. Edhe këto vepra do të interpretohen nga artistët si Denis Skura, Ivana Hoxha, Armando Likaj, Eva Golemi, Dorina Selimaj, Armaldo Kllogjeri, Renisa Laçka, ku nuk mungon në disa prej tyre dhe pianistja Herta Cane dhe Ingrid Pulizo, ndërsa të tjera romanca janë me Kuartetin e Harqeve të TOB. Para këtij koncerti artistët e TOB kanë zhvilluar disa koncerte në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa këtë mbrëmje ata do të jenë në ballkonin e institucionit. Artistët e TOB këtë sezon artistik nisën punën ne mjediset e reja të rregulluara, ku institucioni iu nënshtrua një projekti rikonstruksioni. Pas tre vitesh artistët u rikthyen dhe filluan punën në TOB.