
Gjyqtarët dhe prokurorët të cilët u shkarkuan nga vetingu të organizuar në një shoqatë drejtuar nga prokurori i shkarkuar Genti Trenova, kanë nisur një fushatë ndaj anëtarëve të komisioneve të vetingut. Pasi nuk justifikuan do të pasurinë e tyre dhe ngecën në rrjetën e vetingut ata kanë krijuar një shoqatë dhe kanë ngritur padi në SPAK, kundër Brunilda Bekteshit, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Edhe pse ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve Brunilda Bekteshi, është paditur nga “Shoqata për drejtësi” pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Pak muaj më parë, Komisioneri i Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi, i shoqëruar nga shefja e ONM-së Genoveva Ruiz Calavera, zhvilluan një takim me anëtarët e Komisionit të Vettingut, mes tyre edhe znj. Bekteshi, duke iu dhënë atyre mbështetje në misionin e tyre. Përmes një reagimi në “Twitter”, Genoveva Ruiz Calavera, dha mesazhin e qartë të saj, ndërsa tha se vetingu po zhvillohet me profesionalizëm dhe përkushtim për të siguruar që reforma në drejtësi të japë më të mirën për shqiptarët. Po ashtu, ajo bëri thirrje që të ndalen sulmet e padrejta ndaj disa anëtarëve të vetingut. “Vizitë e rëndësishme në institucionet shqiptare të vetingut me Komisionerin Oliver Varhelyi. Vetingu vazhdon me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim për të siguruar që reforma në drejtësi të japë më të mirën për qytetarët shqiptarë. Sulmet e padrejta duhet të ndalen”, shkroi Calavera. Po ashtu edhe Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, pas takimit me anëtarët e Komisionit të Vetingut, në një reagim në rrjetet sociale, u shpreh se BE mbështet fuqimisht procesin e verifikimit, i cili është thelbësor për integrimin e Shqipërisë. “Takim shumë i mirë me anëtarët e institucioneve të vetingut. Unë përgëzoj profesionalizmin dhe punën e tyre të palodhur. EU mbështet fuqimisht procesin e verifikimit, i cili është thelbësor për ta sjellë Shqipërinë më pranë BE. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë”, shkruante Varhelyi.