Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka kërkuar nga Kuvendi miratimin e një amnistie për 20 mijë automjete të sekuestruara deri në vitin 2013 dhe dërgimin e tyre për skrap.
“Të gjithë oborret e drejtorive vendore të policisë janë të tejmbushura me makina. Kalojnë në 20 mijë mjete, të cilat aktualisht janë në ambientet e komisariateve dhe drejtorive. Kemi propozuar dhe unë do të kërkoj mbështetjen tuaj që Parlamenti i nderuar të nxjerr një amnisti për të gjitha mjetet, të cilat deri në vitin 2013 janë magazinuar”, tha Veliu.
Policia, sipas Veliut, është detyruar të marrë ambiente me qira për magazinimin e tyre, çfarë ka rritur koston. Për ruajtjen e tyre janë të angazhuar rreth 400 efektivë policie.
“Konsumoj gati 400 punonjës policie, të cilët ruajnë këto ambiente apo pikat e marrë me qira, për të siguruar ruajtjen e tyre”, shtoi kryepolici.
Në diskutimet për projekt-buxhetin e vitit 2021, Ardi Veliu u shpreh ndërkohë se në vijim pritet të ketë sërish operacione të monitorimit nga ajri të territorit në bashkëpunim me Guardia di Finanza në luftën kundër narkotikëve.