Në fshatin Valias është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet se i përket autorëve të atentatit të një dite më parë ndaj Ervin Kodrës, kushëririt të Durim Bamit. Mësohet se në automjetin ku ishte i plagosuri Kodra ndodhej dhe vetë Bami, e sipas Nevvs 24 dyshohet se shënjestra ka qenë ky i fundit.
Dyshohet se autorët pas të shtënave në Tapizë janë larguar në drejtim të Valiasit ku kanë djegur automjetin dhe më pas kanë vijuar.
Brenda automjetit të djegur nuk janë gjetur armë.
Ervin Kodra u plagos pasditen e djeshme në Tapizë, dhe njihet si krahu i djathtë i Durim Bamit.
Fillimisht po hetohet pista e hakmarrjes, pasi 35-vjeçari Kodra nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi dy vite më parë në Tiranë përplasi 4 makina me mjetin e tij tip “Tuareg” pasi nuk iu bind patrullave për të ndaluar, sepse në kroskot kishte fshehur 2 armë zjarri. Po ashtu në dyshimet e Policisë është shtuar edhe lidhja e tij e ngushtë me Durim Bami, i cili njihet nga të gjithë si “i fortë” i Niklës.
Emri i Bamit u bë i njohur pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes tij kundrejt pagesës 500 mijë euro. Po kështu 41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ndërsa u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENEA-as në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi. Së fundmi Bami ka qënë edhe pjesë e listës së OFL-së, ku edhe është dashur që të justifikojë pasurinë.