E përditshmja austriake “Heute” ka zbuluar se terroristi 20 vjeçar Kujtim Fejzullai, u zhvendos nga banesa e prindërve të tij në Liesing, në banesën e tij më 1 maj 2020. Ai jetonte në një apartament prej 42 metrash katrorë. Nga fqinjët ose menaxherët, nuk kishte asnjëherë ankesa ndaj tij.
Vetëm gjurmët e shkatërrimit në shkallët e ndërtesës së vjetër të rinovuar, si dhe dyert e aluminit zëvendësuese, dëshmojnë për një veprim jashtëzakonisht dramatik të policisë kur forcat speciale austriake shpërthyen derën e përparme dhe kontrolluan apartamentin.
“Rreth 1.20 të mëngjesit ne u zgjuam nga një ndërhyrje e dhunshme. Të gjitha dritat në ndërtesën tonë u ndezën në të njëjtën kohë”, thotë një fqinj i tronditur.
Askush këtu nuk dëshiron të besojë se një fanatik i IS ka jetuar mes tyre. Por cila është historia e Kujtim Fejzullai, shkruan “Heute”.
Lindur në Austri, ai u rrit në Mödling dhe ishte i talentuar si një futbollist i ri. Ai vijoi shkollën e Mesme Teknike Ottakring të cilën më vonë e la.
Në vend të shkollimit, ai zgjodhi predikuesit radikalë. Në shtator 2018, Kujtimi fluturoi nga Aeroporti i Vjenës drejt Stambollit dhe më tej në Hatay. Por djali i një kopshtari dhe një amvise nuk arriti në Siri. Adoleshenti u arrestua dhe u kthye në Austri.
Nëna denoncoi me dëshpërim djalin e saj. Avokati Nikolaus Rast kujton detajet: “Unë kurrë nuk do të përfaqësoja një fanatik fetar. Unë e pranova atë vetëm për nënën e tij, një grua plotësisht perëndimore, e cila u ul duke qarë me mua dhe më pyeti: ku gabova?’”, thotë Rast.





































