Një sasi tritoli ka plasur mbrëmjen e djeshme në oborrin e banesës së Skënder Hoxhës. Mësohet se Hoxha është kushëriri i Nuredin Dumait, i shpallur në kërkim si autori i ekzekutimit të Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në Elbasan.
Po ashtu Dumani dyshohet të jetë ekzekutori i vëllezërve Haxhia, Viktor dhe Besmir Haxhia, në Durrës, por dhe ekzekutor i shtetasit Klevis Kapllani në Rrogozhinë pak kohë më parë.
Gjithashtu Dumani akuzohet edhe për vrasjen e Anxhelo Avdiaj dhe Dorian Shkoza, po në qytetin e Durrësit.
37-vjeçari, Nuredin Dumani akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajte pa leje” dhe ndaj tij gjykata e Elbasanit ka caktuar sot “arrest me burg”.
MOTIVI I KRIMIT
Katër vrasjet e ndodhura në 2 mars dhe 27 prill të këtij viti në Durrës dyshohet se kanë për motiv humbjen e një sasie të konsiderueshme parash, të cilat u vodhën në grabitjen e Rinasit nga Talo Cela dhe Admir Murataj e bashkëpunëtorët e tyre.
Mësohet se Talo Cela ka lënë një sasi të madhe parash nga ato të vjedhurat në ruajtje te vëllezërit Haxhia.
Sipas dëshmisë së Klevis Allës, që mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Çela ka pasur një konflikt me viktimat, të cilëve u kishte lënë në ruajtje shumën e parave që nuk ia kishin kthyer.
Burime pranë Prokurorisë së Durrësit bënë të ditur se vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhjeje që kishte ndodhur në janar të këtij viti.
Por me sa duket, një alibi të tillë nuk e ka besuar Talo Çela, i cili, edhe pse në arrati, ka filluar të bashkëpunojë me Nuredin Dumanin, Klevis Allën dhe Altin Ndocin, duke kryer vrasjen e dy vëllezërve Haxhia.
Ndërkohë, disa muaj para vrasjes së dy vëllezërve, sipas dëshmitarit Alla, ata të katërt kanë vrarë edhe dy persona në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn, ku ende nuk dihet me saktësi se cili ka qenë motivi i këtij krimi.
Por dyshohet se këta të fundit kishin dijeni për vjedhjen e servisit të dy vëllezërve Haxhia, madje Talo Çela dyshonte se vëllezërit Haxhia kishin futur Shkozën dhe Avdiajn të vidhnin paratë që të justifikonin mungesën e tyre te Çela.






































