Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar një sërë vendimesh në mbledhjen e datës 27 tetor. Sipas KLP, me 6 vota pro dhe 3 kundër (anëtarët Esmeralda Keshi, Bujar Sheshi dhe Kostaq Beluri), Këshilli vendosi miratimin i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr. 171 datë 27.09.2019 “Miratimi i rregullores për procedurën e verifikimit të kushteve të kritereve ligjore për rekrutimin, emërimin si magjistrat dhe caktimin në pozicion të kandidatëve për prokuror”. Këshilli vlerësoi se procesi i vetingut nuk duhet të pengojë e aq më pak të shërbejë si justifikim që Këshilli të mos realizojë procese shumë të rëndësishme për karrierën e prokurorëve ku përfshihet edhe ngritja në detyrë. “Në këto procese (të ngritjes në detyrë) ligji i ngarkon në mënyrë eksplicite Këshillit të drejtën dhe detyrën (pra kompetencën) për të kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve dhe më pas të kryejë edhe procedurat e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve. Këtë kompetencë që ligji i ka dhënë Këshillit, ai nuk mund t’ia delegojë një organi tjetër siç është Komisioni i Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në deklaratën e KLP. Po ashtu Këshilli miratoi ngritjen e Komisionit ad hoc p?r shqyrtimin e rasteve të qëndrimit publik të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në mbrojtje të figurës së prokurorit, të përbërë nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Kryetarët e Komisioneve të Përhershëm. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është dhe Kryetari i këtij Komisioni. Komisioni, me nismë ose bazuar në kërkesat e prokurorëve, mund të bëjë deklarata publike në mbrojtje të prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Miratimi i projektvendimit “Për shpalljen e vendeve vakante për Drejtues të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë” është shtyrë deri në momentin kur ndryshimet të miratuara sot në Këshill në vendimin nr.171 datë 27.09.2019 për “Miratimin i rregullores për procedurën e verifikimit të kushteve të kritereve ligjore për rekrutimin, emërimin si magjistrat dhe caktimin në pozicion të kandidatëve për prokuror” do të botohen në Fletoren Zyrtare.






































