Komisioni i Venecias shuplakë Metës/ Refuzon të japë opinion me procedurë të përshpejtuar për Kodin Zgjedhor, e shtyn në dhjetor

0
313

Komisioni i Venecia i ka dhënë shuplakë të fortë presidenti Ilir Meta, pasi nuk ka pranuar për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar kërkesën sa i takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Presidenti i Republikës ju drejtua me një kërkesë komisionit, ku kërkoi një opinion urgjent për draftin e mazhorancës. Dje Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio i është përgjigjur përmes një letre kërkesës së Presidentit Meta, por ajo që bie në sy është se Venecia do të marrë vendim vetëm në muajin dhjetor. Gazeta pak ditë më parë e theksoi se Venecia në 9 dhjetor mban seancën plenare dhe sipas letrës do të ndiqet procedura e zakonshme. “I nderuar Z. President, Në përgjigje të letrës tuaj të datës 21 tetor 2020 me të cilën ju kërkoni një mendim urgjent “për procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”. Kam nderin t’ju informoj se Byroja e Komisionit ka vendosur, e ndikuar nga koha e shkurtër e mbetur para seancës së ardhshme plenare dhe të kompleksitetit të çështjes, për të mos autorizuar procedurën urgjente. Prandaj, mendimi do të përgatitet në procedurën e zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor. Sipas praktikës sonë, ky opinion në parim do të hartohet së bashku me ODIHR. Shfrytëzoj këtë rast për t’ju falënderuar edhe një herë për besimin tuaj tek Komisioni i Venecias”, thuhet në letër. Por kjo letër rrëzon gjithë kauzën e presidentit, pasi Venecia nuk mund të pritet deri në dhjetor. Me pak llogari të thjeshta, Venecia vendos më 9 dhjetor, por raporti vjen në Shqipëri në janar. Duke qenë se u ndryshua Kushtetuta duhen bërë me patjetër ndryshime në Kod. Pra çfarëdo që të thotë Venecia, implementimi i opinionit në janar është i pamundur sepse në prill ka zgjedhje.

Reagojnë ndërkombëtarët

Ndërkombëtarët i kanë bërë sërish thirrje kryeministrit Edi Rama që të presë opinionin e Komisionit të Venecias para se të rrëzohet dekreti i presidentit për Kodin Zgjedhor. Shefi i qeverisë është shprehur i vendosur për të rrëzuar nesër në Kuvend dekretin, por Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi i ka bërë thirrje qeverisë që të presë opinionin e Komisionit të Venecias dhe më pas duhet të rivotohet nga ligjvënësit. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Varhelyi deklaroi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit 2021 duhet të jenë të lira dhe të ndershme. “Kodi Zgjedhor i Shqipërisë: I kënaqur që Kryeministri mirëpret mendimin e Komisionit të Venecias për korrikun e ndryshimeve kushtetuese. Prandaj do të ishte e matur të presim që të dorëzohet para rivotimit në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe eurodeputeti gjerman i PPE, Michael Gahler, i cili i është bashkuar thirrjes së Komisionerit për Zgjerimin në BE, Olvier Varhelyi se Komisioni i Venecias duhet respektuar. Ndërsa zëdhënësja e Komisionit Europian, për çështjet e zgjerimit dhe fqinjësisë së BE-së, Ana Pisonero, u shpreh se Komisioni i Venecias do të japë këshilla të qarta mbi zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. “Vendimi për t’iu referuar Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u miratuan në 5 tetor u takon autoriteteve shqiptare. Thënë kjo, BE shpreh besimin se Komisioni i Venecias do të japë një këshillim të shpejtë të gjithë autoriteteve shqiptare mbi zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të dakordësuara nga Parlamenti me 30 korrik. Nga ana jonë, ne presim që palët e interesuara të marrin parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias”, tha Ana Pisonero.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here