Pandemia e ka bërë shumë të vështirë zhvillimin e futbollit të kombëtareve, duke nisur nga fakti që lojtarët hasin vështirësi për të marrë leje nga klubet e tyre e deri te udhëtimet nga shteti në shtet, që duken shumë të vështira për shkak të rregullave të vendeve të ndryshme. Shqipëria pati planifikuar një miqësore me modestët e Gjilbratarit më datë 11 nëntor, betejë e cila nuk do të zhvillohet.
FSHF njofton anulimin e saj për shkak të vështirësive për të udhëtuar në kushte pandemie. Kjo ndeshje do të zëvendësohet nga një vëllazërore me Kosovën në të njëjtën datë, me orarin dhe vendin, që nuk bëhen ende të ditura. Kështu, kombëtarja jonë do të qëndrojë brenda trojeve shqiptare në grumbullimin e nëntorit, pasi edhe dy ndeshjet e Ligës së Kombeve luhen në shtëpi.
NJOFTIMI
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një vëllazërore me Kosovën më 11 nëntor 2020, datë ku më herët ishte njoftuar një sfidë miqësore me Gjibraltarin.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se miqësorja me Gjibraltarin është anuluar për shkak të masave kufizuese në kuadër të pandemisë COVID-19, që vështirësojnë udhëtimet e skuadrave.
Pas takimit me Kosovën në muajin nëntor përfaqësuesja kuqezi do të zhvillojë edhe dy ndeshje zyrtare të vlefshme për UEFA Nations League, ndaj Kazakistanit më 15 nëntor dhe ndaj Bjellorusisë më 18 nëntor, që të dyja në shtëpi.









































